Lidhje

Kosovë: Diplomatët kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatës për Manastirin e Deçanit


Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, përfaqësuesja e posaçme Bashkimit Evropian dhe misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, u bënë thirrje të martën institucioneve të Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën përreth Manastirit të Deçanit.

Pronat përreth Manastirit mesjetar të Deçanit rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës vazhdojnë të jenë jetë çështje mospajtimesh në mes të përfaqësuesve të manastirit dhe komunës së Deçanit për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, e cila i njeh manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë.

Ambasada amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale tha se “katër vjet janë shumë të gjata. Respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është opsion. Institucionet duhet të zbatojnë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit menjëherë”.

Ndërsa në një deklaratë të përbashkët të shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova dhe shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Jan Braathu u kërkohet autoriteteve të Kosovës të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Bashkimi Evropian dhe OSBE i bëjnë thirrje komunës së Deçanit dhe të gjitha institucioneve të Kosovës të mbështesin sundimin e ligjit si një nga shtyllat e një shoqërie të lirë dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.

Edhe ambasada britanike në Prishtinë u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë këtë vendim. “Sundimi i ligjit duhet të zbatohet nga të gjithë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike ose të tjera”, thuhet në reagim.

Vendimi i gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i njëjti nuk mund të kthehet prapa ndërsa e detyron komunën e Deçanit që t’i kryej procedurat për njohjen e pronës në emër të Manastirit të Deçanit.

Drejtuesit e komunës së Deçanit, nuk pajtohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi që sipas tyre, pronat përreth manastirit janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG