Lidhje

SHBA, kreu i Shëndetësisë: Nuk kemi dështuar ndaj koronavirusit


Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën për nga numri i vdekjeve si pasojë e COVID-19 me gjithsej 90 mijë të vdekur, por kreu i Shëndetësisë Aleks Azar hodhi poshtë të dielën pikëpamje sipas të cilave qeveria ka dështuar.

"Mund të kishte qenë jashtëzakonisht më keq", tha zoti Azar.

Në një postim në twitter Presidenti Donald Trump shkruante "jemi shumë mirë nga pikëpamja mjekësore për sa i takon zgjidhjes së situatës që ka krijuar koronavirusi!"

Zoti Azar tha se gjatë dy muajve të fundit SHBA ishte "në gjendje ta rrafshonte kurbën" e numrit të rasteve me koronavirus në mënyrë që t'u jepte punonjësve të kujdesit shëndetësor një shans për t'u marrë me numrin e madh të pacientëve në terapi intensive.

"Ndërsa barra ka qenë tragjike dhe e rëndë, ajo ishte e kontrollueshme", tha ai. Megjithatë shtoi ai "kemi rreziqe më të mëdha shëndetësore këtu në Shtetet e Bashkuara, që lidhen me njerëzit obezë, ose me presion të lartë të gjakut e diabetikë.

Por ndërsa numri i vdekjeve nga koronavirusi parashikohet të arrijë në 147,000 deri në muajin gusht zoti Azar tha se "jemi në pozita që mund të rihapim bizneset në vend.

Pothuajse të gjitha përveç dy prej 50 shteteve kanë lehtësuar kufizimet për rihapjen e bizneseve, dyqaneve, restoranteve dhe fabrikave, megjithëse shpesh me rekomandime për distancim të vazhdueshëm fizik me të paktën dy metra mes njerëzve si mbajtje të maskave. Zoti Azar tha se "mbyllja do të shkaktonte shqetësime serioze shëndetësore".

"Duhet t'i nxehim sërisht motorët e ekonomisë", tha ai.

Por rihapja e bareve dhe restoranteve në disa shtete si Ohajo dhe Wiskonsin ka çuar në grumbullime masive njerëzish sikur të mos kishte asnjë shqetësim që lidhet me shëndetin publik. Guvernatori i Ohajos Mike DeWine, atje ku turmat e njerëzve kanë injoruar udhëzimet për distancimin fizik, u kërkoi qytetarë të vazhdojnë të ruajnë distancën.

"Duhet kujdes për të parandaluar një shpërthim të ri të pandemisë", tha ai. "Hapja e shkollave në gusht varet nga ajo që ne po bëjmë tani, është në duart e të gjithëve", shtoi ai.

Guvernatori i Kalifornisë, shteti më i madhi i vendit, tha se 75 për qind e ekonomisë së shtetit është rihapur, por masat paraprake duhet të respektohen.

Këshilltari për Tregtinë në Shtëpinë e Bardhë Peter Navarro, sikurse zoti Trump, fajësoi Kinën për përhapjen e virusit nga Wuhani në Evropë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara.

"Po, fajësoj kinezët", tha zoti Navarro për "ABC News". Ai tha se Pekini, "nën mburojën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ia fshehu botës virusin për dy muaj", "Ata mund ta kishin mbajtur atë në Wuhan" tha ai. "Përkundrazi u shndërua në pandemi".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG