Lidhje

Reagime të forta për shembjen e Teatrit Kombëtar


Në Shqipëri, shembja gjatë ditës së sotme të Teatrit Kombëtar u pasua nga reagime të shumta. Presidenti Ilir Meta foli për një krim kushtetues, ligjor e moral, të paamnistueshëm. Opozita gjithashtu dënoi atë që e cilësoi si një dhunë barbare ndaj artistëve dhe qytetarëve dhe paralajmëroi protesta. Delegacioni Bashkimit europian në Tiranë u shpreh i keqardhur që thirrjet e tij për dialog nuk ishin marrë në konsideratë nga autoritetet. Shqetësim u shpreh dhe nga eurodeputetë e disa prej ambasadave europiane në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj, e cilësoi tanimë histori të mbyllur çështjen e Teatrit duke bërë ftesë për bashkëpunim me të gjithë për projektin e ri.

Reagime të forta për shembjen e Teatrit Kombëtar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Si një nga zërat e fortë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, presidenti Ilir Meta e cilësoi ndërhyrjen e sotme si një akt të mafies e cila siç theksoi ai "shkatërroi dhe çdo iluzion për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri". Duke dënuar "dhunimin e njëkohshmë të artistëve dhe gazetarëve" që sipas tij përbën "një damkë e zezë për mafien në pushtet", Presidenti e krahasoi prishjen e Teatrit me shkatërrimin në kohën e diktaturës së kishave dhe xhamiave. Ai foli për "një krim kushtetues, ligjor e moral, të paaminstueshëm".

Për situatën e krijuar reagoi dhe delegacioni Bashkimit europian në Tiranë, duke u shprehur "thellësisht i shqetësuar" e duke vënë në dukje se “prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”.

Dy eurodeputetë, mes të cilëve dhe relatori për Shqipërinë në parlamentin europian, David Lega, përdorën një gjuhë më të ashpër duke u shprehur se dënonin "veprimet e autoriteteve dhe dhunën e policisë në Tiranë" dhe se i bënin thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë apelin e Komisionerit Mariya Gabriel dhe të përmbahet nga dëmtimet e pariparueshme". Ata i kujtuan gjithashtu qeverisë 15 kushtet që duhet të plotësojë për të filluar negociatat e pranimit në BE.

Edhe seli diplomatike të vendeve europiane në Tiranë kanë reaguar të shqetësuara. Në një postim në Facebook, ambasadori gjerman Peter Zingraf, shkruajti se “shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme. Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”.

Ndërsa ambasada britanike u shpreh “thellësisht e shqetësuar nga mundësitë e humbura për dialog mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe episodet e dhunës në Shqipëri. Mbështesim të drejtën demokratike për të protestuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve të garantojnë që të jenë paqësorë. Dhuna cënon parimet themelore të demokracisë”.

Nga ana e saj opozita e cila u angazhua gjatë gjithë këtyre ditëve në krah të artistëve dënoi në mënyrë të përsëritur atë që e cilësoi si dhunë ndaj qytetarëve. Kryetarja e Lsi-së Monika Kryemadhi u shoqërua në mëngjes herët në polici, ndërsa ishte në krah të artistëve. ““Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre”, tha zonja Kryemadhi pas lirimit nga policia.

Më pas në mesditë ajo dhe drejtuesit e tjerë të opozitës u mblodhën për të dalë me një vendim të përbashkët. “Opozita është e vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë, por të vendosur për largimin një orë e më parë të së keqes së shqiptarëve, të së keqes së Shqipërisë, të së keqes së fëmijëve tuaj që është Edi Rama”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha, duke bërë të ditur se “vendimi ynë i parë sot është mbështetja për të gjitha protestat e Aleancës për Teatrin, shoqërisë civile dhe qytetarëve kudo ku ndodhen, dhe nisja e organizimit po kështu nga ana e opozitës e protestave qytetare dhe mbarëpopullore”.

Nga autoritetet reagimi i parë ishte ai i kryeministrit Edi Rama. Në orët e para të ditës, ai postoi në Facebook një video të shkurtër të disa projekteve të realizuara në Tiranë por që kishin hasur në kundërshtime të forta. Ai shprehet se “janë të njejtët që ngrihen kundër çdo lloj projekti në Tiranë. Nuk e duan zhvillimin, por Tiranën nuk e ndalin dot", shkruajti zoti Rama.

Pasdite, në një mesazh video në Facebook, kryetari i Bashkisë së Tranës, Erion Veliaj tha se vendimi për prishjen e Teatrit ishte “një vendim i vështirë por i drejtë”. Ai përsëriti dhe një herë se ekspertët e institucioneve vendase kishin vlerësuar se godina ishte e rrezikshme. Me këtë ai motivoi dhe vendimmarrjen urgjente të Bashkisë, që brenda pak ditësh pasi asaj ju kalua nga Qeveria, pronësia mbi Teatrin, mblodhi me shpejtësi Këshillin Bashkiak në orët e mbrëmjes të së enjtes, duke miratuar vendimin për shembjen e Teatrit, dhe po me kaq shpejtësi, ndërhyri sot në orët e para të mëngjesit për rrëzimin e godinës.

Ndërsa theksoi se Teatri Kombëtar “asnjëherë nuk ka qenë në listën e monumenteve të kulturës”, zoti Veliaj shpjegoi se në mbi 2 vjet, përgjatë së cilëve është diskutuar dhe debatuar kjo temë, autoritetet kanë bërë hapa pas nga qëndrimet apo propozimet e tyre fillestare. Ai nuk komentoi angazhimin e qindra forcave të policisë dhe forën e përdorur, por duke e quajtur tanimë një histori të mbyllur, tha se i ftonte të gjithë për të bashkëpunuar për të përmirësuar projektin për godinën e re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG