Lidhje

Manifestimi ortodoks në Strugë, shkelen masat e izolimit


Manifestimi i Shën Gjergjit në rrugët e qytetit të Strugës nga klerikë të Kishës ortodokse maqedonase që u shoqërua nga qindra besimtarë që kanë shkelur në këtë mënyrë masat e izolimit ndaj COVID-19, ka nxitur mjaft reagime në Shkup.

Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e së premtes i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që ta hetojë sa më parë ngjarjen e mbajtjes së manifestimit fetar si dhe festën e Ditës së policisë më 7 maj në Shkup, ku po ashtu ishin shkelur masat e izolimit.

Qeveria thotë se këto dy ngjarje paraqesin mosrespektimin serioz të ndalesave dhe rekomandimeve, ndërsa kërkon përgjegjësi dhe masa të përshtatshme ndaj personave përgjegjës.

Ministri i Punëve të Brendshme Naqe Çulev është nga radhët e VMRO-DPMNE-së së opozitës dhe veprimet e tij shpesh bien ndesh me qëndrimet e qeverisë së Social-demokratëve. Policia ishte e pranishme në Strugë duke u kujdesur për rendin gjatë liturgjisë publike të Shën Gjergjit në rrugët e qytetit, ndërsa nuk ishte përpjekur ta pengonte atë. Sipas masave të koronavirusit, nuk guxon më tepër se dy qytetarë të jenë së bashku në vende publike.

Lidhur me manifestimin në Strugë më 6 maj kanë reaguar shumica e partive që e kanë quajtur atë një provokim dhe vënie në rrezik jo vetëm të qindra pjesëmarrësve në të, por edhe të banorëve të Strugës në një kohë që vendi është izoluar për shkak të koronavirusit.

Ndërkohë Bashkësia fetare Islame (BFI) ka bërë të ditur se do të hapë xhamitë nga dita e martë, 12 maj. BFI thekson në një komunikatë se që nga ditët e para të shpalljes së pandemisë “është kujdesur për ta mbrojtur popullatën dhe ka pranuar rekomandimet dhe sugjerimet e institucioneve shëndetësore të shtetit dhe në bazë të parimeve islame ka vendosur që t’i anulojë lutjet kolektive nëpër xhami. BFI ishte institucioni i vetëm që u bëri thirrje besimtarëve që t’i respektojnë rekomandimet për mbrojtjen e shnëdetit publik”, thekson BFI.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha në një konferencë shtypi se kishte biseduar me krerët e komuniteteve fetare, të cilëve u kishte kërkuar që t’i respektojnë masat e ndalimit për mbledhjen e njerëzve dhe se çdo shkelje duhet të sanksionohet.

Kisha Ortodokse maqedonase u ka thënë mjeteve të informimit në Shkup se nuk ka ndërmend të bëjë thirrje për hapjen e dyerve të tempujve të saj për shkak të rrezikut nga koronavirusi dhe se rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë duhet të respektohen.

Ndërkaq, autoritetet qeveritare parashikojnë që së shpejti, siç duket nga e hëna të nisin me lëhtesimin e masave, duke lejuar hapjen e kafeneve dhe restoranteve, por me një sërë kushtesh për sa i përket distancës ndërmjet klientëve dhe fillimisht shërbimet të jenë jo brenda, por nëpër terracat e këtyre objekteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG