Lidhje

Udhëheqësit politikë në Kosovë zotohen të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese


Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë thanë se do të respektojnë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi të premten masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi, i cili të enjten dekretoi Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re tha se “do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkroi ai në facebook.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, tha se “qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, shkroi ai.

Zoti Kurti, qeveria e të cilit u rrëzua më 25 mars në një mocion mosbesimi të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Të enjten lëvizja Vetëvendosje kërkoi që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit dhe vendosjen e masës së përkohshme për të.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike u shpreh e vendosur të respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re. LDK-ja mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re. LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, seancë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës”, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

Gjykata Kushtetuese pezulloi deri me 29 maj zbatimin e dekretit për mandatarin e ri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG