Lidhje

Thaçi kërkon mandatarin jashtë Vetëvendosjes – Kurti e quan të rrezikshme për rendin kushtetues


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën mbrëma se vendimi i presidentit Hashim Thaçi, për t’i dhënë mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën në parlament, rrezikon seriozisht rendin kushtetues të Kosovës.

Zoti Kurti i bëri këto komente disa orë pasi që presidenti Thaçi, pas këshillimeve me partitë parlamentare tha se do t’i ofrojë mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën parlamentare për formimin e një qeverie të re pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjitha partitë politike mbështetën sot formimin e qeverisë dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila edhe takimin e cilësoi si jo kushtetues.

“Nga roli unifikues dhe nga kompetencat që ia përcakton kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidentit këtë mundësi ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, tha të mërkurën mbrëma kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Ai tha se nuk është në kompetencën e presidentit të Kosovës vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror.

Çfarë rendi kushtetues paskemi ne që me i mbledh partitë e me i pyet se si dëshirojnë të procedojnë? Kjo çka ka ndodhur sot është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin tonë kushtetues e bazën mbi të cilën kemi formuar rendin parlamentar”, tha zoti Kurti duke ritheksuar se së pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, e vetmja rrugë është organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Për qeveri të re ne kemi theksuar se duhet të mbahen zgjedhjet e reja, zgjedhjet e parakohshme porsa të përfundon pandemia. Çfarëdo vendimi tjetër është devijim, është kundër vullnetit të qytetarëve dhe është tejkalim i kompetencave të presidentit. Ne do ta ndjekim me kujdes se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme dhe padyshim që do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese, posa të kalohet nga fjalët e presidentit në tekste të shkruara”, tha zoti Kurti.

Ai tha se nuk ka asgjë kushtetuese dhe legjitime në veprimet dhe deklarimet e presidentit Thaçi.

Duke u munduar të rrëzohemi ne, është duke e rrëzuar veten dhe atë pakthyeshëm. Sot njëzëri një klub i stërvjetëruar politikisht kumtoi se nuk janë për zgjedhje duke thënë kështu të vërtetën e madhe të tyre; frikën nga përballja me vullnetin qytetarë”, tha mes tjerash zoti Kurti.

Më herët gjatë ditës pas këshillimit me presidentin Thaçi, partitë e tjera politike u shprehën kundër zgjedhjeve në këtë periudhë. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se duhet bërë përpjekje “që të themelojmë një qeveri e cila ka mandat nga kuvendi dhe mund ta qeverisë vendin në mënyrë normale. Ne vlerësojmë se qeveria në detyrë e cila e vazhdon punën nuk u përgjigjet në tërësi kërkesave që parashtrohen ndaj saj sepse kuvendi tashmë ka shpreh mosbesim ndaj saj”.

Ai tha se LDK-ja është e gatshme “të sigurojë shumicën si parti e dytë në qoftë se neve na ofrohet kjo përgjegjësi dhe mendoj që këtë duhet ta bëjmë bashkërisht mirëpo po ashtu vlerësoj plotësisht pozicionimin dhe deklarimin e çdo subjekti për këtë çështje”. Tashmë zoti Mustafa ka diskutuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për formimin e qeverisë së re. Ai paralajëmroi se të enjten do të diskutohet në forumet e partisë së tij edhe për emrin e mandatarit të ri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, tha se situata është e tillë që e pamundëson mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por në anën tjetër edhe nëse dëshirojmë ta lëmë këtë qeveri nuk mundemi sepse veprimet që po i bënë janë tërësisht jo ligjore dhe jo kushtetuese. Pra jemi në një situatë në të cilën ju si president e keni mandatin kushtetues është obligim i juaji që të bëni interpretimin e Kushtetutës, të jeni ai gardian i Kushtetutës dhe t’i jepni zgjidhje kësaj situate e cila nuk është e rrezikshme vetëm politikisht por qenësisht për kombin tonë”, tha ai duke nënvizuar se partia e tij nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie dhe do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Partitë tjera politike përfshirë edhe ato të pakicave kombëtare u shprehën kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe në favor të formimit të një qeverie të re.

Duke përmbyllur këshillimin, presidenti Thaçi, tha se “do t’i jap mandatarin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon që ka shumicën në Kuvend për të krijuar qeverinë e re. Nuk është në diskrecionin tim të propozojë kandidatin e tillë. Siç e dini të gjithë, qeveria rrjedh nga fuqia mbizotëruese brenda për brenda Kuvendit të Kosovës, prandaj propozimi duhet të rrjedh nga partia politike ose koalicioni i cili do të ketë gjasa më të mëdha që të formojë qeverinë, duke i parë edhe deklarimet tuaja këtu, do t’i marr votat e nevojshme në Kuvend për të ruajtur stabilitetin e vendit duke iu përmbajtur kritereve mbizotëruese për formimin e qeverisë së re”.

Ai tha se takimi i sotëm ndodhi “pas pesë letrave me radhë që si president i vendit i kam dërguar kryetarit të partisë Vetëvendosje. Mund të konstatoj nga deklarimi juaj si përfaqësues të partive politike që përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës sot deklaruan vullnetin e tyre të 91 deputetë në favor të mundësisë së shikimit për krijimin e qeverisë së re”, tha ai.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga një prilli nga qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht të gjitha partitë tjera politike kërkojnë që të formohet një qeveri e re dhe të shmangen zgjedhjet e reja. Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Lidhja Demokratike tashmë është duke biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për mundësinë e formimit të qeverisë së re.(b.a.)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG