Lidhje

Kurti letër Thaçit: Nuk refuzojmë kërkesën për mandatarin, duam sqarime


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi të premten sqarime nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbi bazën juridike mbi të cilën presidenti po kërkon emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re pas rrëzimit të qeverisë Kurti më 25 mars. Presidenti Thaçi, ritheksoi pasdite kërkesën që zoti Kurti të dërgojë propozimin e tij, siç kishte bërë edhe dy ditë më parë.

Zoti Kurti deri tash nuk ka pranuar të dërgoj ndonjë emër dhe kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së COVID-19-tës, ndërsa në një letër dërguar të premten presidentit ai kërkon sqarime.

“Jo, nuk hezitojmë t'ju përgjigjemi. Jo, nuk e refuzojmë kërkesën tuaj. Por jam i detyruar te përsëris atë qe kam pyetur ne letrën time te fundit, e për të cilën nuk kam marrë përgjigje. Shprehimisht kam thënë: E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë te behet tani, par sapo te krijohen kushtet pas kalimit te pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam te qartë është standardi i dyfishte qe Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi ne rruge jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon ne aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni ketë?”, shkruan ai.

Zoti Kurti i kërkon në letër presidentit Thaci që të sqarojë bazën juridike sipas të cilës po vepron ai.

Presidenti Thaçi i cili që nga 2 prilli i dërgoi tashmë katë letra me radhë zotit Kurti, mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Zoti Kurti tha në letrën e së premtes se neni 95 “ka gjashte paragrafë që rregullojnë çështje të ndryshme nga njëra-tjetra, dhe referimi paushall në nenin 95 nuk është i justifikueshëm në këtë moment”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Kurti kërkojnë që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Në letrën e së premtes zoti Kurti shkruan se është në pritje të sqarimeve nga presidenti “me shpresën se do te përdorni standardin e njëjte qe po pritni nga unë. Pas përgjigjes suaj mbase mund ta kem me te qarte arsyen pas këtij insistimi per t'u marre me çështje dytësore e tretesore, ne një kohe kur te gjithë duhet te bashkohemi ne luftën kundër armikut të përbashkët: COVID-19”, shkruan ai.

Pasditen e së premtes, presidenti Thaçi, ripërsëriti mbështetjen në nenin 95 të Kushtetutës në letrën e katërt me radhë.

“Më lejoni t’ua theksoj se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, thuhet në letër.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga një prilli nga qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht të gjitha partitë tjera politike kërkojnë që të formohet një qeveri e re dhe të shmangen zgjedhjet e reja, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje pas pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG