Në një kohë kur sistemi i kujdesit shëndetësor i Amerikës po ngarkohet në kulm për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe shtetet po thërrasin profesionistët e mjekësisë në shërbimin e urgjencës, shumë mjekë emigrantë thonë se kufizimet që përcakton regjimi i vizave amerikane, ulin edhe mundësitë e tyre për të ndihmuar. Njofton për Zërin e Amerikës, korrespondentja Aline Barros.
Ndërsa shumë spitale janë të mbingarkuar me pacientë COVID-19, mjekët e huaj që punojnë në Shtetet e Bashkuara thonë se janë të gatshëm të bëjnë më shumë për t'u kujdesur për të sëmurët, por se i pengojnë kufizimet e vizave.
"Unë jam me vizë H1B (për punonjësit në fusha të specializuara)... Jam i autorizuar të punoj në një spital specifik dhe në një punë specifike… Edhe në spitalin tim, unë nuk mund të punoj askund, përveçse në punën specifike të spitalit ”, thotë Rama Krishna Yalamanchili, doktor i mjekësisë së brendshme.
Duke folur nga Logan, në shtetin Virxhinia Perëndimore, Dr. Yalamanchili është një nga mijëra mjekë të huaj që janë duke punuar në SHBA me viza të përkohshme. Kontrata e tij i jep 10 ditë pushim, pas 15 dite të njëpasnjëshme pune.
"Ne jemi këtu. Profesionistë të trajnuar, në Shtetet e Bashkuara, dhe që nuk ndihmojmë dot në këtë krizë", thotë dr. Yalamanchili.
Ata që janë me viza pune të përkohshme në Shtetet e Bashkuara mund të ndryshojnë punë vetëm nëse aplikojnë për transferimin e vizave të tyre. Por Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit i Shteteve të Bashkuara (USCIS), i cili gjykon kërkesat për viza, është mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kufizimet për mjekët e huaj përcaktohen rreptësisht nga programi i tyre i rezidencës dhe nga Komisioni i Arsimit për të Diplomuarit e Huaj të Mjekësisë (ECFMG), thotë avokati i imigracionit Greg Siskind.
"Ata vendosin shumë rregulla për sa i përket lejimit të sektorit ku mund të punojnë mjekët, si dhe sa orë mund të punojnë. Dhe të gjitha këto duhet të aprovohen nga Departamenti i Shtetit dhe ECFMG-ja, për çdo ndryshim që mendohet se do të bëhet", thotë Greg Siskind, avokat i emigracionit, me firmën "Siskind Susser PC".
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit po inkurajon profesionistët e mjekësisë që kërkojnë punë në Shtetet e Bashkuara që të kontaktojnë ambasadën ose konsullatën më të afërt amerikane për një takim vizash.
Kërkesat do të trajtohen "rast pas rasti", thuhet në një e-mail të dërguar Zërit të Amerikës nga Departamenti i Shtetit.
Si shumë profesionistë të huaj, mjekët emigrantë në Shtetet e Bashkuara po shqetësohen tashmë për mundësinë e tyre në përgjithësi për të punuar, nëse vizat e tyre skadojnë ndërsa zyrat e emigracionit janë të mbyllura.
"Jam i shqetësuar në të njëjtën kohë për dokumentacionin tim të vizës… sepse kam nevojë të kujdesem për të plotësuar dokumentacionin e vizës para fundit të qershorit”, thotë Dr. Shantanu Singh, specialist i mushkërive dhe shërbimit të urgjencës.
Dr. Singh, i cili punon në vijën e parë të frontit ndaj epidemisë COVID-19 në shtetin Virxhinia Perëndimore, është i irrituar nga kufizimet.
"Ndoshta një nga mënyrat për ta zgjidhur këtë mund të jetë heqja e kufizimeve të vizave dhe lejimi i mjekëve të punojnë, ose thjesht të ketë një kategori të ndryshme për mjekët, sepse ka një nevojë të madhe për mjekët në këtë vend", thotë ai.
Në një email për Zërin e Amerikës, një zëdhënës i USCIS (Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit i Shteteve të Bashkuara) thotë se agjencia do të vlerësojë opsionet që lidhen me programet e përkohshme të punësimit, sipas nevojave që do të lindin gjatë pandemisë.
Facebook Forum