Ushtria amerikane dhe punonjësit e qeverisë vazhdojnë të përdorin aplikacionin popullor të videokonferencave Zoom për punë zyrtare, megjithë paralajmërimet e FBI-së në lidhje me problemet e privatësisë dhe sigurisë, një veprim që ekspertët druhen se po rrit rrezikun e ndërhyrjes në të dhënat e qeverisë.
Zoom ka parë një rritje të aktivitetit gjatë pandemisë së koronavirusit pasi shumë punonjës në të gjithë vendin po e përdorin aplikacionin falas për të realizuar videokonferenca të shpejta me dhjetëra pjesëmarrës.
Kjo po ndodh edhe me shumë punonjës të qeverisë federale, përkundër një njoftimi të FBI-së të 1 prillit se hakerat mund të shfrytëzonin dobësitë në sistemet e videokonferencave si ato të aplikacionit Zoom për të "vjedhur informacione private të individëve dhe bizneseve që kryejnë transaksione financiare dhe për t’i zhvatur ato."
Shqetësimi për sigurinë është shumë më i madh se sa ndërhyrjet e hakerave në bisedat mes njerëzve me sharje, bërtitje dhe postime të çuditshme të mesazheve dhe imazheve, siç kanë raportuar disa përdorues të aplikacionit Zoom.
Ekspertët thonë se aplikacioni mund të sjellë rreziqe të sigurisë jo vetëm gjatë seancave të videokonferencave të punonjësve të qeverisë, por edhe për të dhënat që ndodhen në kompjuterët qeveritarë.
"Nëse ka dobësi, aplikacioni mund të rrezikojë sigurinë e të dhënave në kompjuterin në të cilin është instaluar, apo edhe potencialisht në kompjuterë të tjerë në të njëjtin rrjet," i tha Zërit të Amerikës Joseph Steinberg, ekspert i sigurisë në internet dhe autor i librit “iCybersecurity for Dummies”. "Dobësi të tilla janë zbuluar, dhe mund të ketë edhe dobësi të tjera."
Drejtori i Ekzekutiv i kompanisë Zoom, Eric Yuan tha në një postim në blogun e tij më 1 prill se kompania po pezullon përkohësisht punën për shtimin e elementëve të reja për t'u përqëndruar në rregullimin e problemeve të saj të privatësisë dhe sigurisë.
Ndërkohë, raportimet e Zërit të Amerikës tregojnë se Zoom mbetet një nga aplikacionet më të përdorura të videokonferencave për punonjësit e qeverisë amerikane nga Pentagoni deri në Kongres, dhe jo të gjithë janë të vetëdijshëm për rreziqet e tij të mundshme.
"Unë nuk jam në dijeni të ndonjë problemi me aplikacionin Zoom," tha para gazetarëve një zyrtar i lartë në Zyrën e Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, një ditë pas lëshimit të udhëzimeve të FBI-së.
Zyrtari amerikan i mbrojtjes tha se ai po përdorte aplikacionin Zoom për videokonferenca për shkak të nevojës së krijuar nga masat për distancim shoqëror, por kur u pyet nga Zëri i Amerikës për rreziqet e mundshme të sigurisë, zyrtari shtoi se diskutimet që ekipi i tij kishte gjatë videokonferencave në Zoom ishin "të nivelit jo-sekret".
Punonjësit e qeverisë mund të përdorin aplikacionin Zoom për Qeverinë, një shërbim i nivelit më të lartë me pagesë që ruhet në një sistem të autorizuar nga Programi Federal i Menaxhimit të Rrezikut dhe Autorizimit. Sidoqoftë, është e paqartë se sa punonjës të qeverisë kanë arritur ta bëjnë dallimin midis dy shërbimeve deri më tani.
Deri më sot, Zoom mbetet në listën e aprovuar të aplikacioneve të telefonisë celulare për punonjësit e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, sipas shumë zyrtarëve.
Sidoqoftë, një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se Pentagoni aktualisht po shqyrton mundësinë e "ndryshimit të udhëzimeve" për aplikacionin.
Shumë punonjës të Departamentit të Shtetit kanë përdorur gjithashtu aplikacionin Zoom për punë zyrtare. Një punonjës i Departamentit të Shtetit tha se ai dhe kolegët e tij kanë zhvilluar videokonferenca të përditshme përmes aplikacionit Zoom dhe nuk kanë marrë ndonjë udhëzim kundër përdorimit të aplikacionit për komunikim të brendshëm dhe të jashtëm.
Ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Politike dhe Uashtarake, R. Clarke Cooper javën e kaluar bëri një postin në Twitter në lidhje me përdorimin nga departamenti të elementit “Zoom Room” të aplikacionit.
Departamenti i Shtetit dërgoi një email për punonjësit të enjten në mëngjes duke thënë se versioni falas i aplikacionit Zoom "nuk është i autorizuar për përdorim zyrtar ose në pajisjet zyrtare të Departamentit të përdorura për të hyrë në OpenNet". Në email u kërkohet punonjësve të përdorin aplikacionet Cisco Webex, FAN Google Meet, dhe aplikacionet Teams dhe Skype për Biznes të Mikrosoftit.
"Ndërsa përdorimi i versionit qeveritar të aplikacionit Zoom mund të rishikohet për miratim nga Departamenti në të ardhmen, Zoom është aprovuar për përdorim në Rrjetet e Dedikuara të Internetit (DIN)", thuhet në email. "Në dritën e shqetësimeve të reja të sigurisë, Zyra e Menaxhimit të Burimeve të Informacionit për Sigurimin e Informacionit (IA) do të rishikojë këtë çështje dhe do të trajtojë çdo shqetësim të sigurisë në internet që mund të ekzistojë."
Në Kongres, zyra e një ligjvënësi amerikan këmbënguli që Zëri i Amerikës të përdorte aplikacionin Zoom për një intervistë, pavarësisht paralajmërimit të FBI-së. Sekretari i shtypit i ligjvënësit i tha gazetarit të Zërit të Amerikës se nuk do të kishte probleme sigurie sepse videokonferenca ishte e mbrojtur me fjalëkalim.
Një zëdhënëse e kompanisë Zoom i tha Zërit të Amerikës se Zoom e merr sigurinë e përdoruesit "jashtëzakonisht seriozisht".
"Një numër i madh i institucioneve globale, duke filluar nga kompanitë më të mëdha të shërbimeve financiare në botë, deri tek koompanitë kryesore të telekomunikacionit, agjencitë qeveritare, universitetet dhe të tjerët kanë bërë rishikime gjithëpërfshirëse të sigurisë së përdoruesve tanë, rrjeteve dhe shtresave të qendrave të të dhënave dhe kanë zgjedhur me besim aplikacionin Zoom për përdorim të plotë," tha zëdhënësja e kompanisë Zoom të enjten.
Ndërsa pjesë të ndryshme të qeverisë amerikane nuk kanë vendosur akoma kufizime mbi përdorimin e aplikacionit Zoom, gjigandi i teknologjisë amerikane Google ka ndaluar përdorimin e programit popullor të videokonferencave në pajisjet e punonjësve të tij.
Javën e kaluar, Google i dërgoi një email punonjësve duke cituar "dobësitë e sigurisë" të aplikacionit Zoom dhe duke paralajmëruar se programi i videokonferencave në laptopët e punonjësve nuk do të funksiononte më.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka kufizuar gjithashtu përdorimin e aplikacionit Zoom, duke e lejuar atë vetëm në kompjuterët me lidhje fikse, e jo në pajisjet celulare pasi arriti në përfundimin se softueri i aplikacionit kishte dobësi "kritike", sipas raporteve të së mërkurës në media.
Shqetësimet për vjedhje kibernetike nga kinezët
Scott Stewart, nënpresident i programit Threat Lens të kompanisë Stratfor dhe një ish agjent special i shërbimit diplomatik të sigurisë, i tha Zërit të Amerikës se një "pjesë e mirë" e ekipit të programuesve të kompanisë Zoom janë në Kinë dhe dështimi i një kompanie videokonferencash për të përdorur kodim të mesazheve nga një përdorues tek tjetri mund të lejojë një punonjës nën presion të qeverisë kineze të ndërhyjë në biseda private.
Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper ka thënë vazhdimisht se mbajtja e një avantazhi ushtarak ndaj Kinës është "përparësia më e lartë" e Pentagonit, dhe për vite me radhë oficerët e lartë ushtarakë kanë paralajmëruar përdorimin nga Kina të teknologjisë për vjedhje të pronës intelektuale dhe spiunazhin kibernetik për të zgjeruar aftësitë e saj ushtarake.
Zoti Steinberg i tha Zërit të Amerikës se nuk do të rekomandonte përdorimin e aplikacionit Zoom në kompjuterët ushtarakë ose qeveritarë.
"Aplikacionet e tjera janë testuar më shumë me kalimin e kohës," tha ai
Facebook Forum