Lidhje

Shqipëri, pasojat e braktisjes së kërkimit shkencor


Tirana
Tirana

Financimi për kërkim shkencor në universitetet publike në Shqipëri është miniminal, një luks që sipas ekspertëve, një vend i varfër nuk mund t’ia lejojë vetes. Ky material është përgatitur nga gazetaret Rashela Shehu dhe Fjori Sinoruka në Tiranë dhe është një bashkëpunim mes Zërit të Amerikës dhe Rrjetit të Gazetarisë Investigative BIRN.

Shqipëri, pasojat e braktisjes së kërkimit shkencor
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:57 0:00

Në orën 3 e 54 minuta të mëngjesit të 26 nëntorit, një tërmet me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter goditi Shqipërinë e Mesme, duke shkaktuar 51 viktima dhe qindra të plagosur, por stacioni sizmologjik në Durrës nuk e regjistroi të plotë valën shkatërruese.

“Për fat të keq atë ditë që ka rënë tërmeti, energjia elektrike është ndërprerë, por është ndërprerë pasi ka regjistruar 15 sekondat e para. Pastaj ka qëndruar 45 sekonda dhe është rikthyer,” thotë Rexhep Koçi, shefi i Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, IGJEUM.

“Lëkundjet sizmike shkaktojnë probleme edhe në rrjetin elektrik, në Durrës ka ndodhur ky problem,” shton Koçi, ndërsa shpjegon se për shkak të financimeve të pakëta që merr ky institut, rrjeti sizmologjik shqiptar nuk është i pajisur me burim energjie rezervë.

Instituti i Gjeoshkencave nuk është i vetëm në keqfinancim. Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit nga universitetet publike në Tiranë dhe në rrethe, tregojnë se financimi i kërkimit shkencor në këto institucione të arsimit të lartë është i ulët.

Rektorët fajësojnë fondet e pakëta që marrin nga buxheti i shtetit, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile ngrenë pikëpyetje mbi shpenzimet e larta administrative të institucioneve publike të arsimit të lartë.

“Fokusi i universitetit nuk është te kërkimi shkencor, por te shpenzimet dhe fryrja e administratës,” ankohet Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i ‘Qëndresa Qytetare’- një organizatë që monitoron prej vitesh shpenzimet e institucioneve publike të arsimit të lartë.

Projektet e pakëta shkencore dhe kërkimore që realizohen nga universitetet shqiptare janë shpesh produkt i financimeve të donatorëve të huaj dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare. Megjithatë, edhe ndaj rezultateve të vyera të këtyre studimeve, autoritetet shqiptare shpesh bëjnë një sy qorr, duke mos i përfshirë në vendimmarrjen e tyre.

“Nga ana e ministrisë përgjegjëse, nga ana e qeverisë ka qëndrim shpërfillës nga sa ne shohim ndaj kërkimit,” kritikon Aleko Miho, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. “Mua më duket se kjo është një mungesë vizioni,’ shtoi ai.

Pak financime për shkencën

Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015, një nga misionet e arsimit të lartë është integrimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor. Përveç rolit si krijues dhe rregullator i institucioneve të arsimit të lartë, shteti ka gjithashtu detyrimin ligjor për të financuar kërkimin shkencor.

Qeveria e financon kërkimin shkencor direkt nga buxheti i shtetit, ose nëpërmjet projekteve që mbështeten nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, AKKSHI.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga 11 universitete publike në Shqipëri tregojnë se nga viti 2015 deri në vitin 2019, buxheti i shtetit dhe AKKSHI financuan në total pak më shumë se 110 milionë lekë për kërkimin shkencor në vend – nga të cilat të paktën 41.9 milionë lekë janë shpërndarë nga AKKSHI me një mesatare vjetore prej 22 milionë lekësh.

Nga 11 universitetet publike, tre prej tyre – “Fan Noli” në Korçë, Universiteti i Arteve dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan nuk kanë pasur fonde të alokuara nga buxheti për kërkim shkencor gjatë 5 viteve të fundit. Universitetet që kanë përfituar më shumë fonde për kërkimin shkencore janë Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, respektivisht 41.9 milionë lekë dhe 21 milionë lekë.

Nga shuma totale prej 110 milionë lekësh që qeveria shpërndau për kërkimin shkencor nga viti 2015 deri në vitin 2019, 41.3 milionë lekë kanë shkuar për laboratorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Pjesa tjetër është shpenzuar për kërkime shkencore dhe botimin e revistave shkencore.

Edhe shpërndarja ndër vite e këtyre fondeve nuk kanë qenë e njëtrajtëshme. Shumica e tyre ose 73.4 % e totalit janë alokuar në vitin 2019, pas protestave masive të studentëve si pjesë e Paktit për Universitetin.

“Mendoj që te ne, financimi për kërkimin shkencor është në nivele për të ardhur keq,” thotë akademiku Artan Fuga, përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Gjatë tre viteve të fundit, organizata “Qëndresa Qytetare” ka monitoruar shpenzimet e 7 universiteteve publike, transparencën financiare dhe menaxhimin e fondeve të tyre, qoftë nga buxheti i shtetit apo nga tarifat e studentëve. Sipas Rigels Xhemollarit, drejtues ekzekutiv i organizatës, financimi i kërkimit shkencor në këto universitete ka qenë shumë i vogël.

“Justifikimi i tyre ka qenë se kërkim shkencor janë edhe udhëtimet, edhe konferencat, edhe artikujt që shkruajnë pedagogët e ndryshëm, por kur përballemi me pedagogët, ata thonë që nuk janë rimbursuar nga universiteti,” tha Xhemollari. “Pra ata me rrogën e tyre mbulojnë edhe koston e artikujve,” shtoi ai.

Sipas Xhemollarit, ndërkohë që pedagogët nuk shpërblehen për artikujt shkencorë që ata shkruajnë, rektorët dhe dekanët shpesh bëjnë shpenzime luksi ose të panevojshme me paratë që mbledhin nga tarifat e studentëve.

“55 mijë euro janë shpenzuar për rrufepritëse në Universitetin e Shkodrës, gjë që mund të ishte shmangur dhe me këto para mund të ishin blerë libra apo të rregullohej sistemi i ngrohjes,” tha ai. “Paratë që vijnë nga tarifa e studentëve nuk shkojnë as për kërkim shkencor, as për shërbime për studentët,” shtoi Xhemollari.

Modeli i financimit

Aleko Miho shpjegon se para rënies së regjimit komunist, kërkimi shkencor, ashtu si e gjithë ekonomia e kohës, ishte i planifikuar dhe i kontrolluar. Pas rënies së regjimit në vitet ‘90 u fitua një formë pavarësie, por kjo pavarësi nuk u mbështet me resurse ekonomike për shkak të varfërisë së skajshme të vendit në atë kohë.

“Në sistemin e kaluar, gjithçka ishte e planifikuar nga fondet, nga kërkesat për kërkimin shkencor,” tha Miho. “Pas viteve ’90, kërkimi shkencor quhet si luks, privilegj, që nuk i takon qeverisë ta mbështesë e të ndihmojë, duke e lënë këtë si nismë individuale të personave,” shtoi ai.

Miho nënvizon se gjatë tre dekadave të fundit, duke pasur parasysh dhe nevojat e mësimdhënies dhe mungesën e financimit nga universitetet, shumë akademikë janë munduar të gjenerojnë vetë fonde për kërkimin shkencor.

“Ne gjithnjë jemi përpjekur të gjejmë fonde, të sigurohet ndonjë pajisje, kimikate dhe të mbahen student me punë diplome,” tha ai. “Secili nga ne është përpjekur të mbijetojë në kërkimin shkencor si domosdoshmëri edhe e mësimdhënies,” shtoi ai.

Sipas rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, financimet deri para dy vitesh bëheshin nëpërmjet një granti që transferohej nga buxheti i shtetit për universitetet, ndërkohë në dy vitet e fundit, projektet financohen edhe nga AKKSHI.

Gjata shpjegon se pas ndarjes nga Universiteti i Tiranës dhe me themelimin e Universitetit të Mjekësisë 7 vjet më parë, ky institucion mbarti shumë borxhe dhe për disa vite, paratë e grantit për kërkimin shkencor u përdorën për pagesën e rrogave të stafit. Ndërsa në dy vitet e fundit, tre fakultetet e këtij universiteti kanë aplikuar dhe përfituar projekte nga AKKSHI.

“Universiteti i Mjekësisë u krijua në 2013 dhe në momentin që u krijua si universitet, kishte një gropë financiare të frikshme,” kujtoi Gjata, duke shtuar se u deshën disa vite për t’u stabilizuar financat.

“Vjet ka qenë viti i parë që ne dhamë një fond për kërkimin shkencor nga njëra anë, nga ana tjetër, po prapë vjet qeveria e financon kërkimin shkencor, nëpërmjet AKKSHI,” shtoi ai, duke theksuar se gjatë vitit të fundit, universiteti ka 3 projekte të financuara nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Profesor Andrea Maliqari shpjegon se në Universitetin Politeknik të Tiranës, kërkimi shkencor është bazuar në tre kolona kryesore; ku përfshihen fondet që vijnë nga AKKSHI, aplikimet që bëhen për projektet e huaja dhe granti që ka universiteti.

“Kryesisht të gjitha projektet, në atë që ne kemi parashikuar i kemi mbështetur tek dy kolonat e para, pra tek AKKSH dhe tek projektet e huaja,” tha Maliqari.

Sipas Maliqarit, gjatë vitit 2019 në UPT ka pasur 9 projekte të kërkimit shkencor të financuara nga AKKSH dhe 10 projekte me financime të huaja, donacione dhe nga buxheti i universitetit.

“Dy të parat janë kryesisht aplikime për projekte, kurse financimet që bëhen nga buxheti ynë janë kryesisht mbështetje për konferencat që ne zhvillojmë këtu ose për mbështetjen e profesorëve ose të stafit akademik që merr pjesë nëpër konferenca,” shpjegoi ai.

Përtej mungesës së financimeve nga shteti, Arben Gjata shprehet skeptik për nivelin e kërkimit shkencor në vend dhe nënvizon se financimet në këtë fushë është munduar shpesh t’i kanalizojë për pajisje, në mënyrë që të përdoren edhe për praktikat e studentëve.

“Mua më duket mënyrë më e mirë për të shpenzuar para publike, sepse ti në qoftë se do të bësh kërkim shkencor, bujrum ke gjithë ato fonde të BE-së që mund të aplikosh, ke gjithë ato fonde që ofron AKKSH-i, por jo të marr unë tani paret që më paguajnë studentët,” shpjegoi ai.

“Unë nuk besoj se në Shqipëri ne kemi mundësi të bëjmë ndonjë zbulim të jashtëzakonshëm shkencor në fushën e mjekësisë, për arsye se këto kushte kemi, këtë nivel formimi kemi, këto laboratorë kemi, këto kritere kemi etj,.. është e domosdoshme që njerëzit të dinë të bëjnë kërkim shkencor,” shtoi Gjata.

Skeptik për punën, organizimin dhe cilësinë e kërkimit shkencor në Shqipëri është dhe akademiku Artan Fuga, i cili nënvizon se shumica e punëve kërkimore që bëhen në vend janë abstrakte dhe nuk adresojnë problemet që ka shoqëria.

“Kërkimi shkencor më shumë matet me artikuj shkencorë që nuk aplikohen kurrë në realitet,” tha ai. “Vendi ka probleme të mprehta, por kërkimi shkencor pothuajse nuk angazhohet fare në zgjidhjen e tyre,” shtoi Fuga.

Fuga nënvizon se veç financimit shumë të dobët, Shqipëria ka edhe organizimin tmerrësisht të keq të kërkimit shkencor, ndonëse tatimpaguesit japin qindra milionë lekë në vit për institucione që do të duhej të jepnin kontribut të madh në këtë fushë.

“Kërkimi shkencor kërkon investime, por edhe duhet të japë fryte financiare,” tha ai. “Kërkimi shkencor pra nuk menaxhohet, është në pjesën më të madhe ose mashtrim, ose gargarë llafesh, ose ripërsëritje teorike zbulimesh të huaja pa asnjë kontribut personal dhe pa ndikim në jetën e vendit,” shtoi ai.

Një vesh shurdh, një sy qorr

Nga malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen e vet në detin Adriatik, lumi Vjosa rrjedh i lirë, i fundit lumi i egër në Europë. Megjithatë, rrjedhës së lirë të Vjosës shpejt mund t’i vijë fundi për shkak të planeve të qeverisë shqiptare për të ndërtuar një numër digash mbi shtratin e saj, plane që kundërshtohen me forcë nga aktivistët mjedisorë.

Fushatës së aktivistëve mjedisorë shqiptarë dhe të huaj për mbrojtjen e Vjosës nga digat i janë bashkuar dhe një grup ndërkombëtar shkencëtarësh, të cilët që nga viti 2017 kanë ndërmarrë një seri inisiativash për studimin e biodiversitet të pasur dhe matjen e prurjeve të sedimenteve, duke arritur në përfundimin se nëqoftëse një digë do të ndërtohej, nuk do të zgjaste më shumë se 25-30 vjet, pasi rezervuari do të mbushej plotësisht me zhavorr dhe rërë.

Në një ekspeditë shkencore të mbajtur në maj 2017 në fshatin Poçem, 30 shkencëtarë nga Shqipëria dhe Europa regjistruan 300 lloje gjallesash të ndryshme në Vjosë, përfshirë 41 lloje speciesh që janë gjetur për herë të parë në Shqipëri, duke e renditur si një prej lumenjve me rëndësi Europiane përsa i përket biodiversitetit.

Me moton “Shkencëtarët për Vjosën”, studiuesit nga Austria, Gjermania, Franca, Japonia, Shqipëria dhe vende të tjera, u rikthyen në Vjosë në tetor 2019, për një simpozium shkencor dhe për të promovuar idenë e një qendre studimore për lumenjtë e egër.

Profesor Aleko Miho tregon se nga viti 2014 janë bërë ekspedita të përbashkëta nga kërkues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës dhe studentë në Vjosë; në 2015 është bërë një konferencë për lumenjtë, është shkuar disa herë në terren për të parë ujëmbledhësin e Poçemit, për të parë habitatet, me ekspertë nga Austria e Gjermania.

Më pas ata u mblodhën dhe hartuan një publikim - 63 shkencëtarë vendas dhe të huaj, me të gjitha vlerat që ka lumi Vjosë dhe me shumë këshilla për qeverinë shqiptare lidhur me anët e mira dhe dëmet që i sjell ekonomisë shqiptare ndërtimi i digave në lumin e Vjosës.

Të gjithë këto aktivitet shkencore nuk janë financuar nga qeveria shqiptare, por sipas profesor Mihos, ky është problemi më i vogël. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në faktin se “mbështetja e kërkimit shkencor nuk është një gjë e kuptuar dhe e dëshiruar prej autoriteteve.”

“Këtë gjë e mbështes me faktin se produktet tona nuk merren parasysh, nuk kërkojnë të ulen për çështje që janë të rëndësishme edhe për vetë qeverinë, siç mund të përmendim shfrytëzimin pa kriter të pyjeve, me ndotjen e ujërave dhe mënyra sesi mund të rehabilitohen,” tha ai.

“Po ashtu, edhe përpjekja jonë për mbrojtjen e lumenjve, përderisa ka një shfrytëzim të tmerrshëm nga vendimmarrja, domethënë nuk duan t’ia dinë çfarë janë gjetjet shkencore, çfarë do të thotë mbrojtje e natyrës, shfrytëzim i qëndrueshëm, që janë bazë për atë që ne ju mësojmë studentëve,” shtoi ai.

Fondet e BE-së për shkencën

Në vitin 2014, Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian marrëveshjen “Horizon 2020”, e cila i hapte rrugën kërkuesve shqiptarë për të aplikuar për një periudhë 7 vjeçare për kërkime shkencore tek një fond me vlerë 80 miliardë euro.

Por statistika e publikuara nga Komisioni Europian tregojnë se institucionet akademike shqiptare kanë pasur vështirësi në thithjen e fondeve nga BE. Nga 381 aplikime të bëra nga institucionet shqiptare dhe organizata, vetëm 37 ka fituar grante nga programi “Horizon 2020’, me një vlerë prej 3.55 milionë euro, një shifër shumë herë më e vogël se disa vende të rajonit si Maqedonia dhe Serbia, apo edhe Bosnje Hercegovina.

Gjatë së njëjtës periudhë, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit pagoi 386 milionë lekë (2.97 milionë euro) kuotizacione për të të marrë pjesë në këtë program.

Institucioni më i suksesshëm për thithjen e fondeve nga ky program ka qenë Universiteti i Mjekësisë me një projekt me vlerë 817 mijë euro, i ndjekur nga shkolla Turgut Ozal dhe Universiteti UFO.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata ia kushton suksesin me aplikimin për “Horizon 2020” krijimit në rektoratin e këtij universiteti të një zyre për projektet.

“Që të aplikosh në projekte shkencore në BE , ti mund të kesh idenë më të bukur në botë, të kesh dhe projektin më të bukur në botë, në qoftëse nuk di ta shkruash në letër, ta djegin për një presje,” tha Gjata. “Është një teknikë për të shkruar projekte,” shtoi ai.

Universiteti Politeknik i Tiranës ka marrë vetëm 37,500 euro nga programi “Horizon 2020.” Andrea Maliqari shprehet se Politekniku po mundohet gjithashtu të rrisë kapacitetet përsa i përket fushës, duke ngritur një njësi e cila të merret me gjurmimin e projekteve.

“Krahas projektit që merr, puna është që të gjurmosh, pra ngritja e njësive që gjatë gjithë kohës është në kontakt me kompjuterin, për të parë çfarë thirrjesh janë hedhur në treg dhe mbi këtë bazë të arrijë të gjurmojë projekte, ta kapi, t’ia ktheje njësisë që duhet ta përgatisë, ta përgatisë dhe të aplikojë,” tha ai.

Rrjeti sizmologjik jashtë standardit

Rrjeti sizmologjik shqiptar ka 20 stacione ose 20 vendndodhje ku janë vendosur instrumente që merren me regjistrimin e aktivitetit sizmik. Ata janë të pajisur me sensorë të llojeve dhe funksioneve të ndryshme. Këto 20 stacione janë të ingranuara në 3 rrjete sizmologjike.

Rrjeti i lëkundjeve të dobëta - që merret me përcaktimin e koordinatave, fuqinë e tërmetit, por edhe me thellësinë ku ndodh, me paramentra të rëndësishëm edhe në ndjeshmëri edhe në struktura, përbëhet nga 8 stacione; ndërsa rrjeti aksilografik që merret me matjet e nxitimit, impaktit që shkakton vala e tërmetit në struktura, është i përbërë nga 17 stacione.

“Shteti shqiptar ka financuar rreth viteve 2002 – 2005 rreth 70 - 80 mijë euro për sa i përket rrjetit të parë të lëkundjeve të dobëta,” shpjegon shefi i departamentit të sizmologjisë në IGJEUM, Rexhep Koçi.

“Pastaj ne kemi pasur mundësi përmes projektit të NATO-s “Shkenca për paqen”, kemi marrë rrjetin aksilografik të përbërë nga 17 stacione, por edhe rrjeti gjeodinamik thuajse 50% është financuar nga projektet e NATO-s,” shtoi ai.

Sipas Koçit, funksionimi i IGJEUM është i rëndësishëm jo vetëm për kërkimin shkencor, por edhe për sigurinë në fushën e ndërtimeve civile dhe komerciale.

“E para për të monitoruar në mënyrë perfekte akivitetin sizmik, për të nxjerrë konkluzione, për të bërë llogaritjen e rrezikut sizmik, që gjithë aktiviteti shoqëror si fusha e ndërtimit apo ajo industriale të mbështetet me parametra shkencorë,” shpjegoi Koçi, i cili shton se në 5 vitet e fundit, nuk kanë pasur asnjë financim në institut për kërkim shkencor nga shteti.

Stacioni sizmologjik në Durrës, i cili nuk i mati të plota lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit për mungesën e një lidhjeje të vazhdueshme energjie, bën pjesë në rrjetin askilografik. Megjithatë, edhe një stacion i rrjetit të lëkundjeve të dobëta, i vizituar nga BIRN në Shkodër, ishte në të njëjtën gjendje me atë të Durrësit.

I vendosur brenda një prone private në një kodër rreth 2 kilometra në hyrje të qytetit të Shkodrës, ky stacion ka një sipërfaqe prej 15 metrash katrorë. Për të arritur godinën – e cila është një nga qendrat kryesore të matjes së aktivitetit sizmik për veriun e vendit, duhen disa minuta ecje, duke anashkaluar shkurre dhe ferra.

Plastmasët që mbulojnë tarracën dhe fiksohen nga gurë që të mos lëvizin nga era e shiu, nuk e kanë mbrojtur dot atë nga lagështira që shtrihet në çdo cep të dhomës. Në mes të dhomës me lagështirë ndodhet blloku i madh prej betoni, i ndërtuar posaçërisht për të ndjerë lëkundjet e tokës, e mbi të janë vendosur disa pajisje të dekadës së shkuar, të cilat pas mijëra orëve punë, fatmirësisht mbijetojnë ende me një mirëmbajtje minimale.

Sipas Koçit, pajisjet e rrjetit sizmologjik shqiptar janë nga 5 deri në 20-vjeçare. Rrjeti i parë, ai i lëkundjeve të dobëta i përket teknologjisë pas viteve 2000 deri në vitin 2005, ndërsa sistemi aksilografik është i viteve 2010. Rrjeti gjeodinamik ka pajisje nga vitit 2002, por edhe të viteve pas 2015-ës.

Koçi nënvizon se pas reformës së vitit 2008, e cila i zhvendosi Institutet nga Akademia e Shkencave në universitete, instituti është në gjendje të vështirë edhe përsa i përket burimeve njerëzore.

“Fatkeqësisht nga reforma e 2008, ku shumë institute kaluan nga varësia e akademisë tek e universitetit, një pjesë e tyre u mbyllën, ndërsa ne qëndruam me një format shumë të reduktuar dhe vijojmë që atëherë të mos e kalojmë numrin prej 8 punonjësish,” tha ai.

“Me 6 veta në një departament që jo të gjithë janë sizmiologë, është shumë e vështirë të merresh me shkencë, pasi duhet të kesh të dhëna të sakta në kohë reale, të kesh kohë të investigosh,” përfundoi Koçi.

Akademiku Artan Fuga nënvizon se politika miope ndaj kërkimit shkencor në Shqipëri niset nga ideja se jemi një vend i vogël, që nuk ka çfarë shkence të bëjë.

“Shkenca nuk është vetëm shkenca e madhe, por edhe ndryshimet e vogla ose afatmesme të aplikuara në teknologji, menaxhim, novacion që mund të lidhen me nevojat tona,” tha Fuga.

Ai merr si shembull defektet e evidentuara në hartën sizmike dhe në stacionet sizmologjike të vendit pas tërmetit të 26 nëntorit si dhe mungesën e masave epidemike përpara shpërthimit të COVID-19.

Ne jemi të papërgatitur, sepse institucionet kërkimore janë të organizuara keq, të financuara keq, me mekanizma që nxisin parazitizmin, mediokritetin,” tha Fuga. “Bëhen konferenca shkencore sikur janë konferenca jubilare dhe harxhohen paratë kot,” përfundoi ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG