Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres thotë se pandemia e koronavirusit është sfida më e madhe globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Është një kombinim nga njëra anë e një sëmundjeje që përbën kërcënim për gjithkënd në botë dhe së dyti sepse ka pasoja ekonomike që do të shkaktojë recession ndoshta të paprecedent në të kaluarën e afërt”, tha ai në një videoconference shtypi të martën në mbrëmje.
Ai u bëri thirrje vendeve më të pasura të botës që të zgjerojnë aftësitë huadhënëse të Fondit Monetar Ndërkombëtar që të ndihmojnë vendet më të varfra ndërsa përballen me përhapjen e virusit.
Sekretari Guterres e pranoi se vendet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara ndeshin shqetësime të thella në përballjen me virusin. Por ai shtoi:
“Të mos harrojmë se ne jemi aq të fortë sa sistemi më i dobët shëndetësor në një botë të ndërvarur”.
Ai paralajmëroi se nëse koronavirusi nuk vihet nën kontroll, do të përhapet me shpejtësi në gjithë botën.
Ai tha se kur kriza të marrë fund, rendi socio-ekonomik global duhet të ndryshojë.
“Çdo gjë që ne bëjmë, gjatë dhe pas kësaj krize duhet të fokusohet në krijimin e ekonomive më të barabarta, gjithëpërfshirëse dhe të qendrueshme dhe shoqërive me aftësi më të mëdha ripërtëritëse përballë pandemisë, ndryshimeve klimatike dhe shumë sfidave të tjera”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të mërkurën ishte “thellësisht i shqetësuar lidhur me shkallëzimin e shpejtë përhapjen globale të infektimit”.
Ai tha se numri i të vdekurve është mëse dyfishuar javën e kaluar, duke parashikuar se ky numër së shpjeti do të arrijë në 1 milionë dhe i të vdekurve në 50 mijë.
Deri tani, sipas Universitetit Johns Hopkins, numri i të prekurve në gjithë botën është mbi 926 mijë dhe i të vdekurve në 46, 400.
Shtetet e Bashkuara kanë tani numrin më të madh të të prekurve nga koronavirusi, mbi 209 mijë, ndërsa Italia numrin më të madh të viktimave, 13,155 megjithëse ritmi i vdekjeve është ngadalësuar.