Do të duhet të paktën një vit për të zhvilluar një vaksinë për koronavirusin dhe vendet nuk mund thjesht të bllokojnë shoqëritë për të mposhtur sëmundjen, tha sot një ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Drejtori Ekzekutiv i OBSH-së, Mike Ryan tha në një intervistë për BBC-në se duhet të merren masat e nevojshme për parandaluar rikthimin e virusit pas heqjes së masave kufizuese.
Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Mike Ryan thotë se duhet të zbatohen masa të forta për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
“Nëse ne nuk vendosim masa të forta për shëndetin publik tani, pas heqjes së masave kufizuese në një të ardhme, rreziku nga sëmundja do të rikthehet”, thotë ai
Pjesa më e madhe e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara kanë ndjekur hapat e Kinës e vendeve të tjera të Azisë, duke vendosur kufizime drastike për të luftuar koronavirusin. Një numër i madh vendesh evropiane i kanë kërkuar shumicës së fuqisë së tyre punëtore që të punojnë nga shtëpia e kanë urdhëruar mbylljen e shkollave, lokaleve e restoranteve.
Drejtori Ekzekutiv i OBSH-së, Mike Ryan thotë se Kina, Singapori e Koreja e Jugut, vende këto që i shoqëruan masat drastike kufizuese me testime në masë për raste të dyshuar me koronavirus, ofruan një model për Evropën, që tashmë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shndëruar në epiqendër të pandemisë.
“Ne në mënyrë aktive duhet të kërkojmë raste të infektuarish me koronavirus e të testojmë çdo rast të dyshuar, madje duhen testuar edhe njerëzit me të cilët të infektuarit kanë qenë në kontakt. Por nuk duhet të testojmë të gjithë njerëzit, duhet të përqëndrohemi tek ata që mendojmë se janë të infektuar nga virusi”.
Zoti Ryan paralajmëron të rinjtë që të jenë të kujdesshëm pasi të dhënat tregojnë se edhe ata mund të përballen me pasoja të rënda shëndetësore nëse infektohen nga COVID-19.
“Nuk është e vertetë të themi se të rinjtë nuk infektohen, kemi parë të infektohen fëmijë e të rinj. Në shumicën e rasteve të rinjtë e infektuar pothuajse shërohen tërësisht. Kategoria e ndërmjetme janë moshat e mesme. Në Korenë e Jugut, 19 për qind e personave të vdekur nga koronavirusi, ishin njerëz të moshës nën 60 vjeç. Në Itali në njësitë e kujdesin intensiv sot, dy në tre pacentë janë nën moshën 70 vjeç. Në fakt, 12 për qind e pacientëve që ndodhen në kujdes intensiv në Itali sot janë nën moshën 50 vjeç. Pra, kjo nuk është një sëmundje që prek vetëm të moshuarit, ajo ka ndikim të madh, veçanërisht tek personat e moshave të mesme”.
Zyrtari i OBSH-së tha se do të duhet të paktën një vit për zhvillimin e një vaksine për koronavirusin.
“Mendoj se duhet të jemi realist. Duhet një kohë e gjatë për zhvillimin dhe testimin e efektshmërisë së një vaksine. Pastaj duhet të prodhohen vaksina të mjaftueshme për të gjithë. Bëhet fjalë për të paktën një vit. Por tani ne mund të bëjmë shumë gjëra të tjera për të ndalur këtë sëmundje dhe mund të shpëtojmë shumë jetë njerëzish.”
Mike Ryan gjithashtu tha se disa vaksina ishin në zhvillim e sipër, por provat klinike kanë filluar vetëm në Shtetet e Bashkuara. Numri i të infektuarve me COVID-19 në botë ka arritur në mbi 300 mijë, ndërsa ai i vdekjeve në mbi 13 mijë.
Facebook Forum