Lidhje

Shqipëri, 10 raste të reja me koronavirus, infektohet një mjek


Në Shqipëri, vijojnë të shtohen rastet me koronavirus. Autoritetet e Shëndetësisë njoftuan sot për 10 raste të reja, mes të cilëve dhe një mjek i spitalit të Durrësit, ku dy ditë më parë humbi jetën një 73 vjeçare e cila kishte rezultuar pozitive ndaj Covid 19. Në 8 qytete të vendit që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, nisi ndalimi i qarkullimit të automjeteve. Me shumë gjasa, siç njoftoi kryeministri Edi Rama, Tirana dhe Durrësi, mund të vijojnë të qëndrojnë të izoluara dhe gjatë javës së ardhshme. Nga dita e nesërme do të ndërpriten edhe lidhjet me Greqinë.

Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat: 8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina). 25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi”, deklaroi në mesditë zëvendës-ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Shqipëri, 10 raste të reja me koronavirus, infektohet një mjek
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Përveç tyre në vetë karantinim janë dhe 177 persona. Gjendja e të shtruarve në spitalin Infektiv të Tiranës duket se është stabël. “Gjendja shëndetësore e pacientit të parë është përmirësuar ndjeshëm. Edhe pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme. Fatmirësisht nuk kemi asnjë rast që të ketë patur nevojë për trajtim intensiv”, shpjegoi zonja Rakacolli.

Pak më problematike paraqitet gjendja e vetëm një prej pacientëve, për shkak të problemeve që ka patur më parë më mushkëritë.

Me rritjen e rasteve është zgjeruar dhe harta e qytetetve ku janë verifikuar raste me koronavirus. Përveç Tiranës (19 raste), Durrësit (5 raste, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë), Lushnjes (1 rast), Elbasanit (2 raste) dhe Rrogozhinës (2 raste) sot është shtuar dhe Fieri ( 4 raste).

Nga 10 rastet e reja 1 në Tiranë dhe një në Fier janë persona që nuk kanë patur lidhje me të prekurit e deritanishëm dhe që kanë histori udhëtimi në Itali.Mes rateve të sotëm, është dhe një mjek reanimator i spitalit të Durrësit.

Pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, Instituti i Shëndetit Publik, ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës. Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej”, tha zëvendës ministrja.

Mjeku u infektua nga pacientja e cila humbi jetën dy ditë më parë. Ajo ishte shtriar disa herë në spital për shkak të problemeve të mëparshme dhe mësohet se fillimisht u kishte mohuar mjekëve faktin që kishte qenë në Itali disa ditë më parë.

Nga mëngjesi i ditës së sotme, deri të dielën në mesnatë, ka nisur ndalimi i qarkullimit të automjeteve private dhe atyre të transportit në 8 qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnje, Fier, Vlore, Shkodër dhe Lezhë. Rrugët e këtyre qyteteve ngjanin sot thuajse të shkreta.

Megjithatë, mbi 500 drejtues automjetesh, janë ndëshkuar nga patrullat e policisë, për shkak se kanë shkelur urdhërin e ndalim qarkullimit. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndëshkime të rrepta për ata që nuk zbatojnë këtë urdhër.

Kjo masë, së bashku me ndalimin e hyrje daljeve nga Tirana dhe Durrësi, siç njoftoi Kryeministri Edi Rama, mund të vijojë të mbetet në fuqi dhe për javën e ardhshme.

Nga dita e nesërme, qeveria shqiptare ka vendosur të ndërpresë fluturimet me Greqinë, si dhe transportin e pasagjerëve në rrugë tokësore, përmes linjave të autobusëve. Kjo masë do të hyjë në fuqi, të shtunën në orën 10:00.

Kryeministri bëri të ditur sot se policia “ka identifikuar të gjithë qytetart shqiptarë që kanë hyrë nga Italia 14 ditët e fundit. Pasi ka disponuar numrat e tyre të telefonit dhe adresat e tyre, po vazhdon operacionin e posaçëm të sensibilizimit dhe monitorimit të tyre”.

Zoti Rama shpjegoi se të gjithëve u është dërguar një mesazh, përmes të cilit u kujtohet detyrimi për të zbatar vetë karantinimin për 14 ditë.

Shkelja e këtij detyrimi ndëshkohet me gjobë 5 mijë euro dhe shkelësi do të ndalohet të dalë nga Shqipëria pa paguar gjobën”, theksoi kryeministri, ndërsa tha se policia do të bëjë dhe kontrolle nëpër banesat e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG