Lidhje

Rënie drastike e çmimit të naftës në tregjet botërore


Çmimet e naftës së papërpunuar e morën disi veten sot, pas rënies drastike që pësuan dje. Presidenti Donald Trump tha ndërkaq se Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi do të shqyrtojnë disa masa të nxitjes ekonomike për të frenuar koronavirusin. Çmimet e naftës kanë rënë në shkallë botërore. Kjo shihet si diçka e mirë për njerëzit e zakonshëm, por ekonomistët thonë se një humbje e tejzgjatur e të ardhurave nga nafta në tregjet botërore mund të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë globale. Ekspertët po bëjnë thirrje për solidaritet mes vendeve pasi një kolaps ekonomik në një vend, herët a vonë do të pasohet edhe tek të tjerat.

Për njerëzit e zakonshëm rënia e çmimit të naftës është një gjë e mirë. Sonu është banor i qytetit Agra në Indi.

“Për njerëzit e zakonshëm rënia e çmimit të naftës është lajm i mirë. Është kohë festivalesh në Indi dhe njerëzit kanë shpenzime të shumta.”

Çmimi i naftës së papërpunuar ra ndjeshëm pasi karteli i OPEC-u i dominuar nga sauditët nuk arriti një marrëveshje me Rusinë për reduktimin e prodhimit, me qëllim kompensimin e efekteve të koronavirusit ndaj tregjeve botërore. Arabia Saudite reagoi duke njoftuar uljen e çmimit dhe shtimin e prodhimit të naftës. Analistët thonë se kjo betejë po ul çmimet e naftës. Fatih Briol është me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë.

“Shumë kompani shtuan prodhimin. Ka një sasi të madhe prodhimi të tepërt nafte në tregje. Shumë naftë dhe nuk ka kërkese për të.”

Të hënën, tregtarët e mëdhenj të naftës shënuan ditën më të keqe në vite. Rubla ruse ra 9 përqind. Tom Adshed është me firmën e konsultimit Macro-Advisory.

“Për rusët ky është një kalkulim strategjik afatgjatë. Në termin afatshkurtët ata padyshim që do të dëmtohen. Por duke bërë këtë, ata mund të dëmtojnë ndjeshëm prodhuesit amerikanë të naftës nga shpimet shkëmbore.”

Tom Adshead, thotë se Rusia ka krijuar rezerva për të kompensuar humbjet.

“Ata kanë krijuar një rezevrvë kombëtare prej 150 miliardë rubla për ditë të vështira si kjo, kur kanë nevojë të shpenzojnë para pasi çmimi i naftës është i ulët.”

Disa analistë si Fatih Briol në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë,

thonë se konsumi dhe kërkesa për naftë do të vazhdojë të bjerë këtë vit, pasi përhapja e koronavirusit po detyron shumë njerëz të qëndrojnë në shtëpi.

“Për herë të parë në më shumë se 11 vite kohë, ne kemi pritur që këtë vit kërkesa për naftën dhe konsumi i naftës do të bjerë. Është shtuar çdo vit por po bie si rezultat i asaj që po ndodh në Kinë dhe ekonominë botërore.”

Frika e përhapjes së koronavirusit ka tronditur tashmë tregjet botërore dhe ekspertët thonë se përzjerja në këtë mes e rënies së çmimit të naftës mund të shkaktojë një recesion ekonomik. Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë po bën thirrje për solidaritet mes vendeve të mëdha dhe të vogla, sepse siç thotë ai, kolapsi i një ekonomie mund të ndikojë tek ekonomia globale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG