Në SHBA, William Barr, kreu i Departamentit të Drejtësisë (ose Prokurori i Përgjithshëm, siç njihet këtu), tha të enjten se tweet-et e Presidentit Trump në lidhje me departamentin që ai drejton dhe çështjet që shqyrton "ma bëjnë të pamundur të kryej punën time", siç u shpreh ai. Komentet vijnë në një kohë që Departamenti i Drejtësisë është përfshirë në polemika mbi afatin e burgimit që duhet t’i jepet njërit prej miqve të zotit Trump, të cilin gjykata e ka shpallur fajtor.
Deklarata bombë vjen nga njëri prej anëtarëve më të besuar të kabinetit të presidentit Trump.
Ajo bëhet pak ditë pasi Departamenti i Drejtësisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, rrëzoi prokurorët e vet dhe rekomandoi një dënim më të lehtë me burg për një mik të hershëm të zotit Trump.
Roger Stone u shpall fajtor se kishte gënjyer Kongresin, se kishte manipuluar dëshmitarët dhe kishte penguar drejtësisnë gjatë hetimit për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Prokurorët kërkojnë një dënim të gjatë me burg për Roger Stone-in. Presidenti Trump e kundërshtoi rekomandimin e tyre dhe u shpreh në Twitter se kjo ishte “diçka e tmerrshme dhe shumë e padrejtë".
Por, në një deklaratë të pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm Barr tha në një intervistë për rrjetin ABC News se ka ardhur koha që Presidenti Trump të mos bëjë më tweet-e për çështjet penale të Departamentit të Drejtësisë.
"Të bësh deklarata publike dhe tweet-e për departamentin, për njerëzit në departament, për çështje që janë në pritje në departament dhe për gjyqtarët të cilëve u kemi paraqitur çështje për gjykim, kjo ma bën të pamundur të kryej punën time, e bën të pamundur të garantojmë gjykatat, prokurorët dhe departamentin se ne po e kryejmë punën tonë me integritet," tha zoti Barr.
Megjithatë, Presidenti Trump u duk se e mbështeti prokurorin e përgjithshëm. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha në një deklaratë se presidenti nuk u shqetësua nga komentet.
Rekomandimi që dhanë prokurorët për dënimin e mikut të vjetër të Presidentit u rrëzua nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe kjo ka ngritur pikëpyetje për një presion politik të padrejtë të Shtëpisë Bardhë.
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha se vendimi për të rrëzuar atë që ai e quajti një rekomandim "ekstrem dhe të tepërt" u mor para se Presidenti Trump të komentonte në Twitter të martën në mëngjes.
Katër prokurorët dhanë dorëheqjen nga çështja Stone në shenjë proteste. Vëzhguesit thonë se shqetësimi kryesor është se mos po errësohet vija që ndan politikën nga zbatimi i drejtësisë.
"Ekziston një traditë e vjetër që prokurorët janë të pavarur nga autoritetet politike. Kjo bën që ata të jenë në gjendje të japin gjykime profesionale dhe të informuara, pa ndonjë ndërhyrje politike," thotë Darrell West, i Institutit Brookings.
Vendimi përfundimtar për dënimin e Roger Stone-it do të merret nga një gjykatës federal dhe mund të shpallet qysh javën e ardhshme.
Ky është një tjetër episod polemikash për Prokurorin e Përgjithshëm William Barr, i cili vitin e kaluar e shfajësoi Presidentin Trump për pengim të drejtësisë lidhur me hetimin për Rusinë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi shprehu pakënaqësi.
"Prokurori i Përgjithshëm e ka ulur veten në nivele të tilla," tha ajo.
Zoti Barr do të përballet me ligjvënësit kur të dëshmojë në një komision të Kongresi në fund të marsit.
Facebook Forum