A janë vendet e Ballkanit dhe të tjerat në rajon të përgatitura për të mbrojtur sigurine rrjeteve te ardhshme të brezit të pestë, të ashtuquajtura 5G? Sa të afta janë ato të përballen me sulmet kibernetike? Këto ishin disa nga temat që dominuan forumin e sigurisë të mbajtur në mjediset e Senatit amerikan në Uashington. Në forum morën pjesë zyrtarë aktualë dhe ish zyrtarë nga vendet e Evropës Juglindore si dhe ligjvënës të Kongresit amerikan.
“Siguria e miqve dhe aleatëve tanë në rajon. Ne do të flasim pikërisht për rëndësinë e kësaj, sidomos përballë kërcënimit të Kinës dhe të Rusisë”, thotë gjenerali Jim Jones, i cili ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe Komandant i NATO-s në Evropë.
Sot, i tërhequr nga karriera ushtarake, ai shqetësohet për teknologjitë e reja, në një fushë ende të paeksploruar. Fjala është për sigurinë e rrjeteve të brezit të pestë, ose 5G, të cilat do të jenë jetike si për zhvillimin ekonomik ashtu edhe për sigurinë kombëtare.
“Kur flasim për rrjetet 5G, ne duhet të flasim për një 5G të sigurtë, sepse kjo është çështja më e vështirë. Teknologjia kineze nuk mund të eksportojë kurrë rrjete të sigurta, ata nuk mund ta bëjnë këtë. Por ne do ta bëjmë. Kemi zhvilluar teknologji që do t’i ndajmë me miqtë dhe aleatët dhe do të mbrojmë jo vetëm sekretet shtetërore por edhe pronën intelektuale për kompanitë e mëdha, bankat, spitalet, madje edhe telefonat privatë,” shpjegon gjenerali Jones.
Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur alarm se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës me vendet partnere të NATO-s mund të kompromentohet nëse këto vende ia besojnë ndërtimin e rrjeteve 5G aktorëve të tretë të cilëve nuk mund t’u besohet.
Ish ministri i mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu është prej disa vitesh bashkërendues i forumit së sigurisë në bashkëpunim me senatorin amerikan James Inhofe.
“Është lançuar kohët e fundit ideja e 5G në Shqipëri dhe për fatin e mirë Shqipëria është në një hap të avancuar në marrëdhëniet me SHBA, është vendi i tretë që po nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me SHBA. Në këtë pikëpamje, kompanitë mobile që kemi ne, si Vodafoni apo Telekomi janë të lidhura tashmë në këtë pozicion që ka të bëjë me sigurinë e 5G dhe shmangien e investimeve të cilat cenojnë sigurinë e interesave tona kombëtare, sidomos partneritetin tonë në NATO.”
Kina po ndërton me shpejtësi rrjetet e brezit të pestë dhe në Kongresin amerikan qysh tani ka shqetësime se gjigandi kinez i telekomit Huawei që gëzon financimin bujar të qeverisë, po përpiqet të fitojë pozita dominuese në këtë teknologji.
Administrata amerikane e sheh këtë si rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA si dhe për sigurinë e shkëmbimit të informacioneve të klasifikuara me vendet aleate.
“Sa i përket Shqipërisë, fakti që ata nuk kanë 5G do të thotë se ata nuk kanë 5G kineze, prandaj ende ekziston shpresë,” thotë gjenerali Jones.
Muajin e kaluar, një grup senatorësh amerikanë propozoi një projektligj prej mbi 1 miliard dollarësh për të mbështetur novacionet teknologjike në SHBA që mund të përshpejtojnë zhvillimin e rrjeteve të sigurta 5G të telekomunikimit.
Deri tani, përpjekjet për të bindur partnerët për të mos lejuar kompaninë Huawei në rrjetet e tyre kanë patur sukses të kufizuar, për shkak se kanë munguar alternativat që mund të ofrojë qeveria amerikane.
Facebook Forum