Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar pas miratimit nga qeveria shqiptare të një paketë të re ligjore me synimin për të forcuar përpjekjet në luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit e krimeve të tjera të rënda.
“Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.
“Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë.
Në një reagim në twitter zyra e delegacionit të Bashkimit Evropianë në Tiranë shkruan se:
"Ndjekja e parasë" është vërtetuar si një mënyrë shumë efektive për t’u përballur konkretisht me organizatat kriminale. Ligji i posaçëm i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të adresuar çështjen. Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ".
BE vijon me komentin e saj duke theksuar se : është me shumë rëndësi që masat e reja legjislative të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të pandehurve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Gjithashtu është e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-u. Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit", e përfundon komentin e saj zyra e BE-së në Shqipëri.
Qeveria shqiptare e miratoi më 31 janar paketën e re ligjore, përmes një akti normativ.
Rreth dy javë më parë, më 13 janar, duke bërë të ditur planet për hartimin e pritshëm të kësaj pakete, që qeveria në njoftimin e saj zyrtar e quan “Anti-KÇK” (anti-kap-ç’a-të-kapësh) Kryeministri Rama u shpreh se “... kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore që jemi duke e kolauduar këto ditë që flasim edhe me partnerët tanë të pazëvendësueshëm, SHBA dhe BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, duke zhvilluar një aktivitet si asnjëherë më parë agresiv në terren të Policisë së Shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar, por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi, ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht me ta, ne do bëjmë të mundur vendosjen me shpatulla pas murit të çdo anëtari të KÇK në Prokurori apo Gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”.
Duke njoftuar paketën e re ligjore, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha të premten se objekt i saj janë edhe gjithë personat e akuzuar për krime të rënda, përfshirje në krim të organizuar dhe terrorizëm, por që nuk janë dënuar për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
“Të gjithë këta individë, qofshin të dënuar apo të akuzuar për kategoritë e krimeve që sapo përmenda, do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike në posedim të tyre apo edhe të familjareve të tyre, burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm dhe i pajustifikuar. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar ligjshmërinë e pasurisë se tyre” , tha ministrja Gjonaj.
Opozita, nga ana e saj e ka pritur me skepticizëm këtë paketë ligjore, duke e quajtur një nismë propagandistike.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi shkruante në rrjetet sociale se “qeveria Rama nuk ka bërë kurrë luftë kundër krimit, por ka bashkëpunuar me të, ndaj edhe kjo nismë e re do të dështojë, ashtu si dështoi nisma e mëparshme “Forca e ligjit”.
Facebook Forum