Lidhje

Opozita paditi në SPAK dy ministra dhe 4 bashkiakë për vdekjet dhe dëmet e tërmetit


Partia Demokratike e opozitës paditi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion ministrat Besa Shahini dhe Sandër Lleshaj dhe kryebashkiakët Erjon Veliaj, Artur Bushi, dhe ish-bashkiakët Vangjush Dako, dhe Valbona Sako për 5 vepra penale lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Opozita i akuzoi ata për shpërdorim detyre, vrasje nga pakujdesia në rrethana rënduese, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, korrupsion pasiv i personave në funksione publike si dhe për korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë.

“Neglizhenca e kryetarit të bashkisë Krujë dhe të funksionarëve të tjerë publikë, duke lejuar banorët e 2 pallateve në Thumanë të qëndronin në brendësi të këtyre godinave, të cilat ishin deklaruar të pabanueshme dhe përbënin rrezik serioz për jetën e banorëve, ka sjellë vdekjen e 24 qytetarëve” - thuhet mes të tjerave në kallëzimin e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

Partia Demokratike bëri të ditur se e ka kryer një javë më parë kallëzimin ku theksohet se “zyrtarët publikë me vetëdije të plotë nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e këtyre pasojave dhe pse kishin informacion të plotë dhe të detajuar në lidhje me pasigurinë që këto objekte paraqesin, por me shpërfillje totale dhe pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, përsëri refuzuan të merrnin masat”.

Opozita fajësoi ministrinë e brendshme për vdekjen e Kryekomisar Bajram Hajdarmetaj, në Godinën e Konvaleshencës në Durrës, e cila ishte shpallur e pabanueshme pas tërmetit të 21 Shtatorit, por ministria e brendshme nuk kishte marrë asnjë masë për të ndaluar hyrjen në godinë.

“Si pasojë e kësaj neglizhence totale të Ministrit të Brendshëm dhe të vartësve të tij në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tyre, ka ardhur një pasojë shumë e rëndë, vdekja e Kryekomisarit Hajdarmetaj” - thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Tëmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 të vdekur, një mijë të plagosur dhe mijëra pallate, banesa e biznese të dëmtuara.

Aty përfshihen edhe rastet e dëmtimit të infrastrukturës arsimore publike, të cilat janë ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit, por janë shkatërruar si pasojë e tërmetit dhe e punimeve me cilësi të dobët pas prokurimeve publike korruptive, duke rrezikuar jetën e nxënësve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG