Këtë vit, Byroja e Arsimit dhe Çështjeve Kulturore e Departamentit të Shtetit shënon 80 vjetorin e programit për zyrtarë të huaj në poste drejtuese që ftohen të vizitojnë Shtetet e Bashkuara për t’u njohur me larminë e jetës politike, ekonomike dhe kulturore amerikane përmes shkëmbimeve individuale. Që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, qindra figura të njohura të fushave të ndryshme kanë marrë pjesë në këtë program. Siç njofton kolegu Kastriot Haxhiaj, në ceremoninë e organizuar të enjten në Departamentin e Shtetit ishte ftuar për të sjellë përvojën e saj nga ky program, ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Faber.
Shtete Bashkuara përdorin shumë mjete për të avancuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në botë. Ndër to është edhe programi i vizitorëve ndërkombëtarë në fushën e udhëheqjes.
I themeluar në vitin 1940 për t’iu kundërvënë ndikimit të nazizmit në Amerikën Latine, programi në ditët e sotme është i fokusuar në shumë drejtime, që nga qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, konkurrenca politike apo ndërtimi i konsensusit në shoqëri.
Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara Floreta Faber ka qënë pjesëmarrëse e programit të Departamentit të Shtetit.
“Program transformues për sa u takon njohurive dhe shkëmbimit të eksperiencave. Tematika e programit në të cilin mora pjesë ishte mbi përgjegjshmërinë e individëve që punojnë në entet shtetërore dhe në biznes. E kishim të vështirë edhe ta përkthenim fjalën “accountability” (përgjegjshmëri) që sot nuk e përdorim si fjalë të përditshme. Këto programe janë të jashtëzakonshme jo vetëm për individin, por për shoqërinë dhe incitucionet".
Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, Marie Royce tha në fjalën e saj se programi ka lidhur udhëheqës nga e gjithë bota me Shtetet e Bashkuara përmes shkëmbimeve afatshkurtëra. Përfituese e këtij programi ka qënë edhe ish Kryeministrja e Britanisë Margaret Thatcher.
“Lidhjet e para të zonjës Thatcher me Shtetet e Bashkuara kanë qënë përmes këti programi në vitin 1967. Kjo i sherbeu asaj si një eksperiencë e rëndësishme në karrierën e saj të mëvonshme”,- tha zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit
“Kur bëra këtë program nuk e mendoja se sot do të isha ambasadore e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Por në mënyrë absolute ky program ka qënë një nga programet që më ka ndihmuar thellësisht që të bëjë këtë punë që bëj sot”,-thotë diplomatja shqiptare në Uashington.
Në këtë program të Departamentit të Shtetit kanë marrë pjesë rreth 225 mijë drejtues të rinj dhe ai vazhdon të krijojë lidhje jetësore mes amerikanëve dhe udhëheqësve nga mbarë bota.
“Gjatë këtyre tre dekadave rreth 1,500 shqiptarë dhe amerikanë kanë qënë pjesë e këtyre programeve. Rreth 750 shqiptarë kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit të udhëheqësve vizitorë”, tha zonja Farber.
Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Floreta Faber ishte një nga folëset në ceremoninë e 80 vjetorit të programit të Departamentit të Shtetit.
Facebook Forum