Lidhje

Tensionet SHBA-Iran pas vrasjes së gjeneral Soleimanit



Pas vrasjes nga ushtria amerikane të gjeneralit iranian Qassem Soleimani, janë ngritur mjaft pikëpyetje rreth nivelit të tensioneve që kjo ngjarje do të krijojë mes dy vendeve. Korrespondentja e Zërit të Pentagonit Carla Babb njofton mbi zhvillimet e fundit në lidhje me këtë çështje.

Në këtë zonë, Shtetet e Bashkuara përmes një sulmi ushtarak vranë Qassem Soleimanin, komandantin e forcave elite Quds të Iranit.

Soleimani ishte drejtues i operacioneve ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike jashtë vendit, e shpallur si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ai ka mbështetur grupet terroriste në Liban, regjimin e Asadit në Siri dhe ka mbikqyrur operacionet për përhapjen e ndikimit ushtarak iranian në Irak.

“Qassem Soleimani ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran. Asnjë komandant ushtarak, asnjë politikan nuk kishte fuqinë që kishte ai”, thotë Mehdi Parpanchi, Drejtor i Radio Fardas.

Bota tani po pret të shohë nëse Irani do të hakmerret, ndërsa udhëheqësit e tij po kërcënojnë me përgjigje të ashpra ndaj vrasjes së gjeneral Soleimanit.

"Ne nuk po shkojmë drejt një lufte përgjithshme. Ajo që ka të ngjarë të shohim është një seri përshkallëzimesh reciproke e goditje asimetrike që ndoshta nuk do të kufizohen në Irak apo në Lindjen e Mesme", thotë Kirsten Fontenrose nga Këshilli Atlantik.

Të premten Presidenti amerikan Donald Trump u duk sikur po bënte thirrje për bisedime, por njëkohësisht ai kritikoi Iranin duke thënë se "Teherani kurrë nuk ka fituar një luftë, por kurrë nuk ka humbur në negociata."

"Ne ndërmorëm veprime mbrëmë për të ndalur luftën, e jo për ta filluar atë".

Shtetet e Bashkaura dërguan një kontigjent prej 750 trupash shtesë në rajon në fillim të kësaj jave dhe zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës se pjesa tjetër e kësaj brigade, rreth 3,000 ushtarë të tjerë, do të dislokohen në Lindjen e Mesme në orët e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG