Sulmi ajror amerikan që vrau Komandantin e Forcave Quds të Iranit, gjeneralin Qassem Soleimani, ka ndarë në vija partiake ligjvënësit amerikanë. Presidenti Donald Trump urdhëroi të enjten kryerjen e sulmit, pas protestave të mbështetësve të milicive pro-iraniane ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdat. Urdhëri i presidentit u përshëndet nga ligjvënësit republikanë, por demokratët thanë se ai mund të sjellë pasoja serioze për stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Vrasja e Qassem Soleimanit shkaktoi reagime të forta në mbarë botën. Sulmi ajror i urdhëruar nga Presidenti Trump ngjalli debat të ashpër politik në Shtetet e Bashkuara si përgjatë aktiviteteve në kuadër të fushatës elektorale ashtu edhe në Kongresin amerikan.
Por veprimi u përshëndet nga republikanët...
“Për shumë kohë, ky njeri i keq vepronte pa kufizim. Të pafajshëm të panumërt kanë vuajtur prej kësaj. Tashmë, ky udhëheqës terrorist ka marrë fund”, tha Senatori Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane.
Disa udhëheqës republikanë shprehën në Twitter mbështetjen e tyre për vendimin që Pentagoni tha se ishte i nevojshëm për të parandaluar sulme të planifikuara ndaj diplomatëve amerikanë dhe ushtarakëve.
Presidenti Trump veproi pasi protestuesit pro-iranianë rrethuan Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdat.
“Duhej të merrej vendimi nëse do të kishte një përgjigje proporcionale, apo nëse do të shfrytëzohej momenti ndërsa krerët e tyre ndodheshin në terren dhe të eliminohej kështu lojtari kryesor negativ në fushëbetejë”, thotë Kirsten Fontenrose, e Këshillit të Atlantikut.
Por Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, tha se presidenti urdhëroi një sulm ajror pa autorizimin e Kongresit. Të njëjtin shqetësim pati edhe kreu i pakicës demokrate në Senat.
“Nevoja për konsultim paraprak dhe transparencë me Kongresin është vendosur në Kushtetutë për një arsye, për shkak se moskonsultimi dhe mungesa e transparencës me Kongresin mund të çojnë në vendime të nxituara dhe keqmenduara”, tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në Senat.
Sulmi ajror ringjalli përpjekjet në Kongres për të ushtruar autoritetin e legjislativit mbi operacionet ushtarake, megjithëse administrata gëzon të drejtën të ndërmarrë veprime të tilla.
“Administrata ndërmori hapin e futjes së Qassem Soleimanit në listën e terroristëve të huaj, duke zgjeruar kështu edhe autoritetin e saj. Pra, administrata e fitoi autoritetin për të goditur Qassem Soleimanin”, thotë zonja Fontenrose.
Efekti më i gjerë i sulmit ajror është ajo që shqetëson demokratët që po kandidojnë përballë Presidentit Trump.
“Fatkeqësisht asgjë nga ato që kemi parë nga kjo administratë gjatë tre viteve të fundit nuk na sugjeron se është e përgatitur të përballet me rreziqet që shfaqen”, tha Joe Biden, kandidat demokrat për president.
Një tjetër kandidat demokrat senatori Bernie Sanders, pretendon se goditja ajrore shkeli premtimin elektoral të Presidentit Trump.
“Trump-i premtoi të ndalë luftërat pa fund. Tragjikisht, veprimet e tij na kanë futur në rrugën drejt një tjetër lufte”, tha senatori Bernie Sanders, kandidat demokrat për president.
Pete Buttigieg, ish-zyrtar i zbulimit dhe më vonë ish-kryebashkiak në South Bend të shtetit Indiana, tha se rreziku i përshkallëzimit nga Irani është shumë real.
“Kjo është gjëja më provokative që mund të bënte SHBA-ja, pa e pushtuar realisht Iranin”, tha Pete Buttigieg, kandidat demokrat për president.
Senatorët amerikanë pritet të informohen javën e ardhshme rreth sulmit ajror. Senatori McConnell bëri thirrje për vetëpërmbajtje deri në atë moment.
“Siç mund të pritet nga kjo klimë politike, operacioni që solli vdekjen e Soleimanit mund të sjellë polemika e përçarje. Megjithëse e mirëpres një debat për interesat e politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme, sugjeroj që të gjithë senatorët të presin derisa të shohin faktet dhe të dëgjojnë argumentat e administratës, përpara se të ofrojnë publikisht gjykimet e tyre për të këtë operacion dhe pasojat e tij të mundshme”, tha senatori McConnell.
Ndërkohë senatori Tim Kaine ka njoftuar se do të hartojë një projektligj që do të parashikonte votimin në Kongres përpara çdo veprimi të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, duke e zgjeruar kështu për disa javë të tjera debatin e ligjvënësve për këtë çështje.
Facebook Forum