Lidhje

Arkiva e pasur e qytetit të Nju Jorkut


Miliona njerëz janë zhvendosur në Nju Jork në kërkim të një jete më të mirë dhe qyteti ka dokumentuar me kujdes të dhëna për shumë prej tyre. Një zyrë e veçantë e qytetit të Nju Jorkut që merret me arkivën ka ruajtur të dhëna të shumta që nga filmimet apo fotografitë e deri tek pasaportat e skanuara e madje edhe shkëmbimet me letra të kryebashkiakëve me njerëz të famshëm. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Anna Nelson sjell më shumë hollësi nga qyteti i Nju Jorkut.

Miliona njerëz tërhiqen nga stili i jetesës në Nju Jork, pamjet mahnitëse dhe mundësitë që ofron ky vend unik. Një zyrë e posaçme e bashkisë dokumenton të dhëna të shumta për njerëz të rrallë dhe zhvillime interesante.

Brenda një kasaforte të vjetër dhe gjigande ruhen fillimet e qytetit të Nju Jorkut, çertifikatat e para të shtetësisë për njerëz të të gjitha gjinive, kombësive dhe racave. Michael Lorenzini është punonjës i bashkisë që merret me arkivën dhe median.

“Një numër hebrenjsh u refuzuan dhe ju tha që të bënin peticion nëse kjo nuk u dukej e drejtë. Faktikisht ata bënë peticionin dhe u kthyen deri në Amsterdam. Drejtorët e kompanisë “Dutch West India” këmbëngulën që atyre tu jepet shtetësia”, thotë zoti Lorenzini.

Arkiva e bashkisë u krijua rreth 40 vjet më parë, por ka provuar të jetë tejet e veçantë dhe rrallë gjen një arkivë të tillë në qytetet amerikane.

Në dhomën e errët po dixhitalizohen rreth pesë milionë fotografi të shkrepura para se të egzistonin hartat e kompanisë Google. Departamenti i financave të bashkisë fotografoi çdo ndërtesë të qytetit që paguante taksa.

Këtu gjen foto të lagjeve, ish-kryebashkiakut të ndierë Ed Koch në metro e madje edhe pamje të brendshme të apartamentit të artistit Andy Warhol. Po ashtu edhe një koleksion gjigand të skenave të krimit. Fotografi Matt Minor merret me arkivën e bashkisë.

“Gjëja më e çuditshme që kam fotografuar është një valixhe që ishte pjesë e një gjyqi të një vrasje mafioze në vitet 1920-të. Brenda saj ende gjenden njolla gjaku nga vrasja”, thotë zoti Minor.

Por për Kenneth Cobb, miliona dosje penale nuk janë thjesht dokumente por ngjarje familjare, tragjedi, dramë dhe pjesë e historisë.

“Mosses Rossen u dënua sepse kishte dy gra. Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ndodhie ishin rusë”, thotë Kenneth Cobb me arkivën e qytetit të Nju Jorkut.

Shkëmbime letrash mes kryebashkiakësh, çertifikata lindje, raste të lidhura me kërkimin e njerëzve të humbur pas 11 shtatorit, madje këtu gjen edhe dosje misterioze. Arkivat nga departamenti i shëndetit të rreth 160 viteve më parë tregojnë mbi transportimin e kufomave gjatë Luftës Civile për të mënjanuar përhapjen e sëmundjeve në qytet.

Një arkivë mjaft e pasur që mund të tregojë më shumë për qytetin e Nju Jorkut se sa askush tjetër thotë arkivisti Kenneth Cobb:

“24 prill 1865. Emri i të ndjerit është Abraham Lincoln i moshës 56 vjeçare. Vendi i vdekjes Uashington. Kolona thotë nga sëmundje por në të vërtetë ai u qëllua me revole. Nuk kishte rëndësi se kush ishte personi; kjo praktikë regjistrimi ndiqej për të gjithë”.

Zyra e arkivës në qytetin e Nju Jorkut është e hapur për publikun. Kushdo mund të vizitojë për të parë ndyshimet që ka kaluar qyteti ndër shekuj, thotë zoti Cobb:

“Njeriu mbetet njeri. Gjërat nuk kanë ndryshuar.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG