Këtë muaj u bënë 111 vjet që kur Fan Noli themeloi katedralen historike të Shën Gjergjit në Boston. Sot kjo katedrale shërben si qendër ku komuniteti i ortodoksëve shqiptaro-amerikanë të zonës së Bostonit mblidhet së bashku por edhe si një urë mes themeluesve të saj dhe valës më të re të emigracionit. Në prag të Krishtlindjeve, kolegia Keida Kostreci vizitoi Shën Gjergjin dhe bibliotekën e Fan Nolit.
Është një e dielë dhjetori dhe ngjyrat e zbukurimeve të Krishtlindjes kombinohen me ato të flamujve shqiptarë dhe objekteve që mbartin nga një copë historie.
Që nga mesha e drejtuar nga At Artur Liolini e deri tek himnet kishtare, atmosfera është solemne dhe festive. Pas meshës, At Arturi, pastor i Kishës së Shën Gjergjit, reflekon mbi Krishtlindjen.
“Jemi në prag të Krishtlindjes kur kremtojmë ardhjen e zotit si njeri”, thotë ai.
Vetëm disa javë pas tërmetit, At Liolini që është edhe Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare Ortodokse në Amerikë shpreh keqardhjen për viktimat.
“Por nuk është tragjedia e parë që kanë përjetuar shqiptarët. Kanë një jetë që njeriu, shqiptari, iliri ka mbijetuar. Në fakt për ne që kemi lindur jashtë Shqipërisë, ose edhe jo shqiptarë kanë një admirim të veçantë për shqiptarët që kanë jetuar shumë tragjedi, jo hyrjen e të huajve, jo ndryshimi politik, mund të flasim për Krishtlindjen, por ishte një gjysmë shekulli që nuk faleshin dot, ishte krim shteti në kohë ateizmi.”
At Liolini thotë se shqiptarët sikur kanë në shpirtin e tyre një gen për të mbijetuar.
“Shqiptarët e Amerikës dhe amerikanët e kanë në zemrën e tyre një impuls që të ndihmojnë çdo njeri. Në fakt amerikanët nuk kanë përjetuar luftra brenda territorit të Amerikës, përveç luftës civile, i kanë pasur luftrat jashtë. Prandaj amerikanët kanë një admirim për shqiptarët që kanë luftuar dhe natyra dhe zoti i kanë shpëtuar nga rreziqe të ndryshme”.
12 kishat e kryedioqezës ortodokse shqiptare ishin në procesin e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar pas pasojave të tërmetit. Michael Gregory, zyrtari më i lartë jokishtar i Katedrales, thotë se afro gjysma e besimtarëve të kishës, i takon valës së re të imigrantëve nga Shqpëria, të ardhur 20-25 vitet e fundit.
“Pa ata, kisha nuk do të ishte e plotë dhe aq dinamike sa ç’është, prandaj është shumë e rëndësishme të mbahen ato lidhje me Shqipërinë. Njëri aspekt është ai kulturor, por aspekti tjetër është që këta njerëz që kanë ardhur këtu këto 25 vitet e fundit, bëhen pjesë e familjes, kështuqë është shumë e rëndësishme për ne që t’i ruajmë këto lidhje”.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të Katedrales, është ajo e Bijave të Shën Gjergjit, një grup që u krijua në vitin 1935 dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pasurimin e jetës së kishës.
Edlira Athanas Joseph, presidente e shoqatës që prej një viti, thotë se brezi më i ri si i saji, mbështeten tek themelet që kanë hedhur paraardhëset e tyre.
“Dua që ashtu siç jemi të grumbullohemi edhe më shumë, ta bëjmë edhe më të madhe (shoqatën) dhe gjithmonë siç thashë për çështje që i përkasin grave. Ky është objektivi ynë. Si ta fuqizojmë këtë organizatë me sa më shumë gra dhe si t’i ndihmojmë sa më shumë çështjet e grave”
Ronald Nasson, drejton Shoqatën e Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë të Luftës së Dytë Botërore, krijuar në vitin 1946.
“Jemi me fat që kemi një prift si At Arturi. Ai e ka ruajtur trashëgiminë e Fan Nolit dhe e ka mbajtur kishën gjallë. Tani kemi një valë të re shqiptarësh që kanë ardhur në Amerikë. Na kanë frymëzuar dhe na kanë forcuar”, thotë ai.
Në këtë prag Krishtlindjeje ...
“Do të thotë të japësh, do të thotë të jemi të ndershëm me njerëzit që jeton dhe që punon”, thotë zoti Nasson.
Dhjaku Spiridon përfaqëson një brez të ri të klerit të Kishës dhe thotë se është i nderuar të çojë përpara traditën.
“Sidomos për mua që kam lindur në Amerikë, të jem si një urë mes brezit të ri dhe brezit më të vjetër. Prandaj është një kënaqësi, gëzim dhe bekim që i shërbej komunitetit në këtë mënyrë”, thotë Dhjaku Spiridon.
“Bëjmë të pamundurën për çdo bashkëatdhetar që të ndjehet shumë mirë në këtë kishë dhe ndihmojmë”, thotë bashkëshortja e tij, Boralba Green.
Një brez edhe më i ri, janë fëmijët e besimtarëve të cilët po bëjnë prova për shfaqjen e Krishtlindjes.
Duke folur për historinë, dhe përpjekjet e shqiptarëve, At Arturi reflektoi edhe për Zëri i Amerikës që ai thotë se shpëtoi Shqipërinë në kohë të rrezikshme.
“Ishte monizmi. Njerëzit më thonë vetë, disa njerëz pleq dhe të rinj, rrinin me radio të fshehura, të dëgjonin Zërin e Amerikës nga Uashingtoni, në gjuhën shqipe. Ishte si një shërim për ta në një kohë dhe bashkë me të, shpresën e shpëtimit që në fakt doli”.
Historia e Katedrales është e lidhur në mënyrë të pazgjithshme me trashëgiminë e Fan Nolit dhe rrjedhimisht me Bibliotekën e tij, konsideruar nga Universiteti i Harvardit si një nga qendrat më të pasura albanologjike në perëndim, që qëndron pranë Kishës.
Arkivistja e saj, Neka Doko, thotë se ajo lidhet me historinë e shqiptarëve.
“Pra lidhja midis brezave, lidhja me të kaluarën, lidhja me shqiptarët vjetër, lidhja tani dhe transmetimi i vlerave nga shqiptarët e vjetër dhe nga botërorë të huaj për Shqipërinë”, thotë Neka Doko.
Ajo thotë se është në përfundim e sipër website-i i ri të bibliotekës, dhe përmes saj do të bëhet lidhja e duhur midis bibliotekës noliane, institucioneve në Shqipëri, bibliotekave, universiteteve dhe në diasporë.
Dhe nuk mund të ketë Krishtlindje pa një urim:
“Urojmë gjithë shqiptarët dhe çdo banori në Shqipëri të gëzojnë këtë kohë: Krishtlindje të gëzuar me shëndet, lumturi, shpresë në të ardhmen dhe plotësimin e të gjitha dëshirave me të vyera, më të denjave në zemrat e tyre”, thotë At Arturi.
Facebook Forum