Lidhje

Largohen dy anëtarë nga komiteti Nobel për letërsinë, kritikojnë Akademinë


Dy anëtarë të jashtëm të komitetit për çmimin Nobel në letërsi dhanë dorëheqjen të hënën. Një prej tyre tha se puna për të reformuar akademinë suedeze të goditur nga një skandal një vit më parë, po zgjat shumë.

Akademia 233-vjeçare u detyrua që të propozonte disa masa të reja pas një skandali seksual që përfshinte bashkëshortin e një ish-anëtareje, skandal që çoi në shtyrjen e dhënies së çmimit për vitin 2018. Një nga masat e ndërmarra ishte shtimi i anëtarëve të jashtëm për të ndihmuar komitetin Nobel që të zgjedhë kandidatët për çmime.

"Largohem nga kjo detyrë në komitetin Nobel sepse nuk kam as durimin dhe as kohën për të pritur rezultatin e ndryshimeve të propozuara”, shprehej në një artikull të publikuar në të përditshmen suedeze “Svenska Dagbladet” Kristoffer Leandoer, një prej anëtarëve të jashtëm.

"Akademia dhe unë kemi një këndvështrim të ndryshëm mbi kohën, një vit është një periudhë shumë e gjatë në jetën time, por shumë e shkurtër në jetën e akademisë", shkruante më tej ai.

Zoti Leandoer tha se largimi i tij nuk lidhej me vendimin për t’i akorduar çmimin Nobel për letërsinë për 2019 shkrimtarit austriak Peter Handke, gjë për të cilën akademia është kritikuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Por Gun-Britt Sundstrom tha në një deklaratë të botuar në “Dagens Nyheter” se zgjedhja e Peter Handke-s ishte interpretuar sikur letërsia qëndronte mbi politikën dhe se ajo nuk ndante të njëjtin mendim. Peter Handke është kritikuar shumë për portretizimin e Serbisë si viktimë gjatë luftërave në Ballkan si dhe për pjesëmarrjen në funeralin e Slobodan Millosheviçit. Slobodan Millosheviç vdiq në Hagë në vitin 2006, ku po gjykohej për krime lufte.

Akademia konfirmoi në një deklaratë se Kristoffer Leandoer dhe Gun-Britt Sundstrom janë larguar nga komiteti Nobel për letërsinë, i cili deri më sot përbëhej nga katër anëtarë të Akademisë Suedeze dhe pesë anëtarë të jashtëm. Në një deklaratë të Mats Malm-it, sekretar i Përhershëm i akademisë suedeze thuhej:

"U jemi mirënjohës për përpjekjen e mëdha që ata bënë gjatë një viti (duke iu referuar dy anëtarëve të jashtëm të larguar). Aktualisht po rishikojmë se si do të organizatohet puna e komitetit të Nobelit për letërsinë për vitin 2020".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG