Lidhje

Tërmeti në Shqipëri: të paktën 21 viktima


Shqipëria u godit sot nga një tërmet u fuqishëm, me magnitudë 6.4, që tronditi thuajse të gjithë vendin, duke shkaktuar të paktën 21 viktima, dhe disa qindra të tjerë të plagosur. Dëme të shumta janë regjistruar në ndërtesa, shtëpi dhe godina shërbimesh kryesisht në zonën e Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Mbi 40 persona u nxorën nga rrënojat e banesave dhe pallateve të shembur nga lëkundjet e forta. Dita e nesërme është shpallur zi kombëtare. Në ndihmë të autoriteteve shqiptare kanë mbërritur ekipe të specializuara nga Kosova. Italia, Greqia e shumë vende të tjera që u solidarizuan menjëherë.

Ishte ora 3.54 e mëngjesit kur Shqipëria u shkund nga goditjet e frikshme të një tërmeti, i fortë për nga intensiteti dhe I shtrirë dhe në kohë, rreth 20-30 sekonda. Në harkun e pak minutave banorët jo vetëm në Tiranë, mbushën rrugët duke braktisur në panik, banesat e tyre. Mbi 100 pasgoditje disa gjithashtu të forta, të një magnitude mbi 5 gradë.

Me kalimin e minutave, ndërsa personat e parë ju drejtuan spitaleve, nisën të shfaqeshin dhe përmasat e dëmeve që kishte shkaktuar. Me epiqendër pranë Durrësit, ky ishte qyteti ku dhe dëmet ishin më të mëdha, jo vetëm materiale, por që I morën jetën disa fëmijëve apo dhe të moshuarve. Për fat të keq 13 viktima janë pikërisht nga ky qytet, ku një pallat u shemb, sikundër dhe dy hotele në vijën bregdetare apo dhe një vilë e madhe trekatëshe në zonën e kënetës, e cila fillimisht u anua në njërin krah dhe pas pak orësh u shemb e tëra.

Vatra e dytë me e goditur, ishte Thumana ku tre pallate të ndërtuara para viteve ’90 u shembën duke zënë në rrënoja disa banorë. Janë të paktën 7 viktima vetëm në Thumanë, ku për orë të tëra, ashtu si dhe në Durrës kanë vijuar operacionet e kërkim shpëtimit. Janë 44 persona të cilët u arrit të nxirren gjallë.

Disa qindra persona ndërkohë mbetën të lënduar dhe kërkuan ndihmën e shpejtë në spitale. Mbi 660 të plagosur u regjistruan në spitalet e Durrësit dhe Tiranës, ndërsa disa dhjetëra u mbajtën nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Shqipëri, tërmet me magnitudë 6.4
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Pikërisht nga Spitali i Traumës, kryeministri Edi Rama njoftoi vendimin për të shpallur ditën e nesërme një ditë zie kombëtare. “Do të jetë dhe një ditë për të filluar realizimin e gjithë procesit të kalimit të njerëzve që janë sot në qiell të hapur e që do e kalojnë natën në tenda, se nuk përballojnë dot një tavan mbi kokë, drejt një infrastrukturë tjetër”, tha kryeministri, i cili më herët kishte njoftuar se “qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja. Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”.

Në terren gjatë gjithë ditës, ka qenë sot në zonat e prekura nga tërmeti dhe presidenti Ilir Meta, sikundër edhe Kryetari demokrat Lulzim Basha i cili gjithashtu vizitoi zonat më të dëmtuara dhe vuri theksin te nevoja e solidaritetit njerëzor, duke nënvizuar se në një ditë si kjo politika nuk ka vend e duke i propozuar kryeministrit shpalljen e gjendjes së emergjencës për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit. Por për kryeministrin Edi Rama “akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk sjell më shumë seç ka sjellë gjithë ky solidaritet. Megjithatë, nesër është dita për të menduar për të gjitha”.

Prefekti i Durrësit flet për pasojat e tërmetit
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:18 0:00

Ndërsa vëmendja kryesore gjatë gjithë ditës ka qenë te shpëtimi i njerëzve të zënë si në grackë nga shembja e banesave, nuk ka ende një bilanc publik për dëmet e krijuara. “Eshtë e pamundur në këtë moment, kur të gjitha energjitë janë përqëndruar në operacionet e kërkim – shpëtimit, që të kemi një panoramë të detajuar të dëmeve”, tha ministrja e Mbrojtjes Xhaçka, duke nënvizuar se “dëmet janë të mëdha, këtë e dimë. Ky ishte tërmeti më i forte që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet me te ulet siç është trendi, deri ne stabilizimin e pllakave tektonike.

Forcat e ushtrisë kanë ngritur deri më tani disa qendra me çadra që mund të strehojnë deri në 1000 vetë. “Pranë stadiumit në Durrës dhe fushës së sportit në Thumanë janë ngritur 300 çadra për strehimin e afro 1 mijë banorëve. Gjithashtu Shtëpia e Pushimit të Ushtrisë në Durrës me kapacitet 200 persona është në dispozicion të banorëve në vështirësi. Janë 90 palestra në Tiranë, Durrës, Krujë e Lezhë te cilat po përshtaten per te akomoduar familjet e pastreha në rast nevoje. Krahas kapaciteteve akodomuese të siguruara nga pushteti vendor dhe ai qendror, janë shumë hotele në Vlorë, Durrës e Tiranë te cilat, ne shenjë solidariteti, kanë ofruar strehim e trajtim për çdo bashkëqytetar në vështirësi”, bëri të ditur ministrja. Në Tiranë bashkia ka ofruar disa qendra sociale si dhe 20 hotele që kanë shprehur gatishmëri për të pritur të prekurit për të kaluar natën, me gjasë nën ankthin e momenteve të tmerrit që u përjetua këtë të martë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG