Lidhje

Kushtetuesja, Meta sulmon ambasadën e SHBA-së


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta ju rikthye sot sulmeve ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me Reformën në Drejtësi dhe kryesisht për komentet e tyre mbi përplasjen rreth çështjes së emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shkak për këtë duket se u bë një deklaratë e sotme e ambasadës amerikane e cila u shpreh se mbështet çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias. Deklarata e ambasadës pasoi një telefonatë që zoti Meta pati mbrëmë me të Dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Matthew Palmer

Duke vlerësuar se ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, Ambasada amerikane u shpreh sot se “në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit””.

Deklarata e përfaqësisë diplomatike amerikane erdhi pas një bisede që mbrëmë, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Balkanin Matthew Palmer, pati me presidentin Ilir Meta. Ky i fundit konfirmoi bisedën 30 minutëshe duke saktësuar se ajo ishte bërë me kërkesë të zyrtarit amerikan. Duket se kësaj bisede ju referua dhe zëdhënësi i tij Tedi Blushi, kur në një reagim në Facebook shkruajti se "garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare”. Gjuha e deklaratës ishte tejet e ashpër, duke sulmuar fillimisht ambasadorin italian Alberto Cutillo, i cili ishte i pari që hodhi publikisht idenë e përfshirjes së Komisionit të Venecias për zgjidhjen e përplasjes mbi emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ide e cila u mbështet dhe nga Brukseli. Por për Kreun e Shtetit shqiptar “tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës”.

Reagimi i zëdhënësit të Presidentit, vijoi me një referencë të qartë ndaj ambasadës amerikane kur shprehet se “Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë”, lokalitet ku disa vite më parë u zbuluar një laborator kokaine.

Ndërsa më pas ishte vetë zoti Meta i cili u shpreh: "No more rule of embassy! (Jo më Shtet të ambasadave) Por “rule of law” (Shtet të së drejtës) si Shtetet e Bashkuara, si në Europë”

Zoti Meta shpërtheu në epitete fyese ndaj diplomatëve që mbështesin idenë e përfshirjes së Komisionit të Venecias: "Hipokritët që duan të çojnë gjoja tani aktin në Komisionin e Venecias, ata janë hipokritë sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota, në kundërshtim me Venecian, kur e undërshtoi opozita dhe gjithë të tjerët. Tani duan të shpëtojnë Dvoranin sepse Dvorani nuk është fajtori I vetëm. Dhe Dvorani ka patur edhe garanci të disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin”.

Marrëdhëniet e zotit Meta me Komisionin e Venecias u acaruan muajin e kaluar, pasi ky institucion u përfshi në trajtimin e vendimit të tij për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe nismës së shumicës për shkarkim. Fillimisht ai foli me nota vlerësuese, të cilat u pasuan me kritika të ashpra kur në shtyp qarkulloi projekt opinion, i cili edhe në variantin përfundimtar të rishikuar, foli për tejkalim të kompetencave nga ana e zotit Meta, duke vlerësuar se megjithatë kjo mund të mos përbënte shkas për shkarkim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG