Lidhje

Kushtetuesja, Vorpsi zgjedh të betohet para një noteri


Në Shqipëri komplikohet më tej situata me emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Kushtetuta parashikon që Gjyqtari i Gjykatës kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin, Arta Vorpsi, kandidatja e cila u rendit e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit ja ka dërguar betimin me postë Kreut të Shtetit pasi e ka vulosur më parë te një noter. Nga ana tjetër Presidenti ka njoftuar për organizimin në mbrëmje të ceremonisë së betimit të kandidates Xhaferllari e emëruar prej tij për të njejtën vakancë në Gjykatë.

Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë ligjor i vendit, është kthyer në sheshin e betejës së radhës mes presidentit Ilir Meta dhe shumicës së majtë, duke vënë në pikëpyetje serioze procesin e formësimit të saj. Një ditë më parë, Kreu i Shtetit emëroi si anëtare Marsida Xhaferllarin në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese. Sot, Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për të njejtën vakancë, zgjodhi një rrugë të re për të anashkaluar zotin Meta. Ky i fundit e bëri të qartë se nuk e njihte emërimin e saj e për pasojë nuk do të pranonte betimin. Zonja Vorpsi nga ana e saj, hartoi një dokument, i cili përfshinte dhe formulën e betimit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, dhe me vulën e noteres Miranda Xhemalçe, ja dërgoi me postë presidentit, duke vënë në dijeni dhe vetë Gjykatën.

Zgjedhja e saj duket se bie ndesh me Kushtetutën e cila përcakton në mënyrë fare të qartë në nenin 129 se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Por përfaqësuesë të shumicës e konsiderojnë këtë një zgjedhje të vlefshme, në kushtet kur sipas tyre është presidenti që po i shmanget detyrimit kushtetues. Duke sjellë si referencë dy raste të trajtuar nga Komisioni i Venecias, për Poloninë dhe Ukrainën, ata theksojnë se “betimi është deklarim i vullnetit për të pranuar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, e konsiderohet i përmbushur përsa kohë është deklaruar nga vetë zonja Vorpsi, e vertetuar dhe para noterit dhe presidenti është vënë në dijeni”. Për pasojë, sipas tyre, që nga dita e sotme zonja Vorpsi do të duhet të nisë ushtrimin e detyrës.

Presidenti Meta nga ana e tij nuk shfaqi asnjë shqetësim për lëvizjen e zonjës Vorpsi madje e ironizio atë si të pavlerë, dhe në mbrëmje organizoi ceremoninë e betimit, jo vetëm të dy anëtarëve të zgjedhura nga parlamenti, por dhe të emëruarës prej tij Marsida Xhaferllari.

Për situatën e krijuar, kryetari demokrat Lulzim Basha sulmoi shumicën duke folur për një puc institucional: “Këta nuk duan Gjykatë Kushtetuese. O ta bllokojnë, o ta kapin, kjo është alternativa e Edi Ramës për Gjykatën Kushtetuese. Sepse një Gjykatë Kushtetuese që nuk falet natën në Surrel, një Gjykatë Kushtetuese që nuk bëhet tenderim me përcaktim nag Ardian Dvorani do të vendosë në mënyrë të pavarur”, tha Basha në një takim në Sarandë.

Nga ana e saj, me nismën e shumicës, parlamenti është thirur te mblidhet nesër në një seancë të jashtëzakonshme ku do të propozohet miratimi i një rezolute të posacme për rastin e Gjykatës Kushtetuese dhe veprimeve të ndërmarra nga presidenti Meta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG