Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të enjten aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës nën dyshimet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “i pandehuri A.M., më 24 korrik të vitit 2015 me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë, dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS. Më pastaj në kohë të pa vërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi, përmes Greqisë, ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë”.
Sipas prokurorisë “me të arritur në Siri ai i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26 korrik të vitit 2017, është arrestuar nga forcat Kurde dhe atje ka qëndruar deri më 19 prill të viti 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë”.
I akuzuari është një nga 110 personat që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave.
Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.
Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.