Në Shqipëri, policia shqiptare bëri të ditur sot se ka zbuluar skemën e funksionimit dhe ka identifikuar anëtarët e një celule terroriste iraniane e cila ka patur si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (Mek), mbi 2 mijë anëtarë të së cilës janë strehuar në territorin shqiptar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu tha sot se “celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta”.
Sipas policisë shqiptare “celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur me emrin Peynam, rezident i përhershëm në Iran, i cili menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore”. QUDS, është krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit.
Një anga anëtarët e celulës është Alireza Naghashzadeh, një ish-anëtar i MEK-ut me pasaportë austriake. “Naghashzadeh u dërgua nga Peyman, për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua”, shpjegoi zoti Veliu.
Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh Malek Zadeh, iranian që jeton në Turqi. “Malek Zadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS”, tha zoti Veliu.
Abdulselam Turgut, është i njohur nga autoritetet shqiptare. Në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.
Vendimi i atëhershëm i Gjykatës së Apelit, nga një trupë e kryesuar nga Gjin Gjoni, bëri jehonë, duke qenë se Turgut ishte arrestuar me kërkesë nga Gjermania për ekstradim, dhe u la në arrest shtëpie në një adresë ku thuhej vetëm "Pallati të Kthesa e Kamzës, kati i 8-të". Ai kish qenë dhe më parë pjesë e një procesi në Turqi, ku ishin përfshirë dhe një grup shqiptarësh, me të cilët dyshohej se do të trafikonte një ngarkesë të madhe heroine.
Dhjetorin e vitit të kaluar ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga Shqipëria. Ministria e Jashtme njoftoi në atë kohë se “dy diplomatët iranianë u shpallën të padëshiruar, pasi dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar – sqaroi më tej Ministria e Jashtme shqiptare – u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.
Facebook Forum