Këmbëngulja e Francës, përkundrejt shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit europian, bëri që sot Këshilli Europian të mos dalë me një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për këtë temë vendet anëtare pritet të diskutojnë para samitit të Zagrebit, në maj të vitit të ardhshëm, por pa përcaktuar asgjë të qartë.
Moshapja e bisedimeve më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u kthye në një cështje që përcau vendet anëtare, dhe shumë nga ata që ishin në favor nuk e fshehën zhgënjimin, siç dhe u shprehën një pjesë e mirë e tyre në deklarata të veçanta.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk deklaroi pas takimit se “për fat të keq në Këshill nuk u arrit unanimiteti i kërkuar. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë faj për këtë. Raporti i Komisionit ka qenë fare i qartë. Të dy vendet kanë kryer çfarë u kemi kërkuar. Pra të dy vendet kanë të drejtën të nisin bisedimet për anëtarësim që sot. Ato janë gati. Për fat të keq disa vende anëtare nuk janë ende gati”.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të Këshillit presidenti francez Emmanuel Macron, i cili praktikisht vuri veton, tha se njeh përparimin e bërë nga të dy vendet, por se ka ende disa gjëra që duhen zgjidhur. Ai i mëshoi idesë së tij për reformimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe zgjerimit, të cilin e cilësoi si një proces burokratik, ndërsa shtoi se “nëse ne nuk funksionojmë si duhet me 27 anëtarë, si mund të jemi më mirë me 28,29 apo 30”, tha presidenti Macron duke ju referuar dhe problemeve të brendshme të vetë BE-së, për të cilën ai tha se ka “një vizion të ri”.
Nga ana e saj kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh e keqardhur që nuk pati unanimitet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se “Gjermania beson se objektivat e vëna nga Komisioni europian janë arritur”. Ajo nënvizoi faktin se në rastin e dy vendeve ballkanike nuk bëhet fjalë për hyrje në BE por për nisjen e një procesi.
Presidenti i ri i Parlamentit europian Davide Sassoli foli për një “zhgënjim të madh”. “Të dy vendeve dhe qytetarët e tyre kanë bërë përpjekje të mëdha për të përmbushur kushtet e vendosurë. Kur dikujt i kërkohet të bëjë përpjekje të mëtejshme, është detyra jonë të mbajmë fjalën e dhënë. Do të jetë e vështirë t’i shpjgeohet popujve të këtyre dy vendeve se përse po vonojmë hapin e radhës, në një kohë kur është shënuar përparim”, theksoi ai.
Ndërsa për kryeministrin italian Giuseppe Conte, mos hapja e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin “është një gabim historik”. Ai tha se Italia do të propozojë që kjo çështje të trajtohet sërish në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme muajin e ardhshëm duke theksuar se “nëse Europa krijon anthe të tilla në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm që nuk favorizon vetveten, por rrezikon të favorizojë vende të tjera që synojnë të zgjerojnë sferën e tyre të influencës”.
Nga ana e tij komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, u shpreh pas përfundimit të takimit se "udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit europian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian", shkroi Hahn në një postim në Twitter, duke folur për një “zhgënjim ekstrem”. Sipas tij “Shtetet anëtare të BE-së duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.
Komisioneri Hahn përsëriti deklaratat e tij të pak ditëve më parë pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, duke nënvizuar se “ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Refuzimi për të njohur përparimin e faktuar, do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”.
Problemi në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nuk lidhet vetëm me faktin që nuk patën një mbështetje, por dhe me paqartësinë e të ardhmes së vetë procesit. Si presidenti francez Macron ashtu dhe kancelarja Merkel thanë se do i rikthehen kësaj çështjeje përpara samitit për Ballkanin Perëndimor në Zagreb, i parashikuar të mbahet në muajin Maj, por pa përcaktuar se cfarë konkretisht do të bëhet, në pritje të realizimit të idesë franceze për rishikimin e procesit.
Kryeministri Rama: Europa mbetet e ardhmja jonë
Në Tiranë, kryeministri Edi Rama, deklaroi sot pas mungesës së një vendimi për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, se vendi i tij e meritonte një vendim pozitiv dhe se pavarësisht kësaj, Europa mbetet e ardhmja jonë. Ajo është destinacioni ynë strategjik dhe historik. Asgjë nuk mund të vërë në pikëpyetje përkatësinë tonë europiane. Europa është i vetmi vend ku shqiptarët do të mund të jetonë të lirë dhe të sigurtë”, theksoi ai disa herë në një konferencë për shtyp.
Pavarësisht se Shqipëria nuk mori dritën jeshile për të hedhur hapin e radhës në rrugën e integrimit europian, kryeministri theksoi se “vendi do të vijojë me realizimin e reformave, me reformën në Drejtësi, me realizimin e reformës zgjedhore sipas rekomanimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe me plotësimin e institucioneve kryesore të Drejtësisë sikundër parashikohet dhe në të ashtuquajturat kushte gjermane”.
Ai këmbënguli se fakti që dy vendeve nuk ju dha hapja e bisedimeve, “nuk lidhet me atë se çfarë ne kemi bërë ose do të bëjmë, por me një përplasje qasjesh brenda vetë Bashkimit europian”, duke ju referuar qëndrimit të Francës e cila “po kërkon rregulla të reja brenda shtëpisë europiane, duke vënë në pikëpyetje gjithë procesin e bisedimeve e duke kërkuar nje metodologji të re”, tha zoti Rama.
Basha: Përgjegjësia e Ramës. Shqipëria po bën hapa prapa
Për kryetarin e opozitës përgjegjësia për vendimin e mungar për hapjes e bisedimeve për anëtarësim është e kryeministrit Edi Rama. “Ne donim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë sesa vendimi i Bundestagut për të marrë një Po pa kushte, siç mund të kishte marrë Maqedonia. Kushtet ishin 5, u bënë 7, u bënë 9, sepse Shqipëria po bën hapa prapa. Vendi nuk po qeveriset, por po sundohet. Kjo është e vërteta”: deklaroi zoti Basha pak pasi kryeministri përfundoi konferencën e tij të shtypit.
Për zotin Basha, “ka një përpjekje për ta shitur atë të sotmen si një përplasje mes vendeve të BE dhe jo si një keqqeverisje. Në këtë gjendje nuk ta hap askush derën e negociatave”. Sipas tij, Franca, por dhe Hollanda e Danimarka të cilat ishin posaçërisht kundër Shqipërisë, nuk besojnë më te raportet e Komisionit Europian, të cilat sipas tij “konsiderohen nga një pjesë e mirë e vendeve anëtare të zbukuruara që nuk paraqesin realitetin”. Dhe për këtë arsye sipas tij Bundestagu gjerman “ka ngritur mekanizmin e vet të verifikimit dhe këtu nuk ka asnjë fije ndryshimi mes Gjermanisë dhe Francës. Të njejtën gjë po thotë edhe Macroni. Por në Francë Asambleja Nacionale nuk ka të njëjtat kompetenca si Bundestagu. Macron dëshiron të reformojë procesin sesi verifikohen të vërteta e Ballkanit dhe gënjeshtrat e Ballkanit, demokratët që shiten si autokratë, trafikantët e drogës që shiten si politikanë të ndershëm dhe hipin e zbresin avionët për Bruksel me çanta me para, me të cilat mendojnë se mund të blejnë deputetë të falimentuar, por nuk i blejnë dot kurrë të vërtetën”, tha zoti Basha.
Facebook Forum