Në deklaratën e parë për zgjedhjet në Kosovë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.
Shtetet e Bashkuara tha zëdhënësi, urojnë popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare.
"Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve", thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.
Ambasadori amerikan në Kosovë takon Albin Kurtin
Në Kosovë, ndërkaq ambasadori amerikan, Philip Kosnett u takua me kandidatin për kryeministër të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e mbajtura dy ditë më parë.
Në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje thuhet se në takim është diskutuar për “mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë,”.
Komunikata citon zotin Kurti të ketë thënë se “se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Josep Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s'kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”, citohet të ketë thënë zoti Kurti.
Ambasadori Kosnett takoi të martën edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Në një njoftim të Lidhjes Demokratike thuhet se “ambasadori Kosnett ishte i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime, dhe për faktin se kishte aq shumë përqendrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit. Ai tha se pret një përqendrim të ripërtërirë në përparim kundër korrupsionit, në ekonomi, dhe në dialog me Serbinë drejtë arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqë të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftim.
Facebook Forum