Lidhje

Tahiri dënohet me 3 vjet shërbim prove


Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Duke qenë se ai kishte pranuar më parë gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite shërbim prove. Po ashtu zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike po për të njejtën periudhë.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal. Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit të kaluar zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll shkurtin e kaluar.

Si zoti Tahiri dhe avokati i tij kanë këmbëngulur në pafajësi duke u shprehur se prokuroria dështoi të ofronte një provë konkrete në mbështetje të akuzave të ngritura. Ndërsa pas vendimit të gjykatës zoti Tahiri u shpreh i habitur. “Për 2 vjet u hetova si pjesë e një grupi kriminal që kam bërë trafik droge, sot gjykata thotë se meqë kushërinjtë kanë përdorur emrin tim, paskam shpërdoruar detyrën. Jam pa fjalë se Gjykata më quan përgjegjës se disa kushërinj të mi përdorën emrin tim”, tha zoti Tahiri jo pa ironi, duke njoftuar se ai do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit, vendimin e mbrëmjes së sotme.

Pak pasi Gjykata u shpreh për ish ministrin e Brendshëm, reagoi dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: “Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit”, shkroi zoti Bashan ë një status në Facebook, duke htuar se “vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin”.

Ndërsa për ish ministrin e Brendshëm mund të flitet për një “fitore si e Pirros”, vendimi ishte një shuplakë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila pas gati një vit e gjysëm hetimesh, nuk mundi, sipas vlerësimit të vetë gjykatës, të mbështeste në prova akuzat e rënda që ajo ngriti ndaj zotit Tahiri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG