Lidhje

Boris Johnson imiton manovrat politike të Presidentit Trump


Kur Boris Johnson fitoi garën e partisë së tij konservatore në muajin korrik për të pasuar zonjën Theresa May si kryeministër i Britanisë, Presidenti Donald Trump e përshëndeti fitoren e tij, duke e quajtur atë “Trumpi i Britanisë”.

Që nga ardhja në Downing Street, Johnson duket se po ia shpërblen udhëheqësit amerikan në formën më të lartë, duke imituar manovrat politike dhe mediatike të Presidentit Trump, duke u bërë jehonë memeve të tij populiste dhe duke përqafuar kaosin politik si një taktikë kyçe për t’ua hedhur kundërshtarëve dhe për ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian, gjë që zonja May nuk arriti ta bëjë.

Por Britania nuk është Amerika. Çështja është: a do ta dëmtojë kryeministrin Johnson sjellja si presidenti Trump?

Kritikët akuzojnë zotin Johnson se është larguar nga kushtetutshmëria dhe po përpiqet ta zhvendosë partinë konservatore drejt së djathtës populiste, një manovër e dhimbshme që ka shkaktuar konflikt brenda partisë, midis krahëve të saj pro dhe kundër Brexitit.

Besnikët e tij thonë se kjo nuk është kohë normale në Britani prandaj jokonvencionalja është e nevojshme.

Edhe para se të bëhej kryeministër, zoti Johnson komentoi me shaka gjatë një darke private me kolegët konservatorë, ku po diskutonin se si të dilnin nga gjendja e bllokuar e procesit Brexitit, se një qasje "mjaft e fortë" e stilit Trump mund të ishte mënyra më e mirë. "Imagjinoni nëse Donald Trump bën një Brexit," tha zoti Johnson, sipas një regjistrimi audio. "Ai do ta bënte me mjaft forcë. Do të kishte kaos të madh, avari aty-këtu. Të gjithë do të mendojnë se ai është çmendur. Por në fakt kjo mund të çojë diku”.

Dhe javët e fundit, kryeministri Johnson e ka vënë në provë këtë ide, duke u shkëputur nga procedura e zakonshme politike, në të njëjtën mënyrë si zoti Trump, e gjithë kjo në përpjekje për të përfituar nga vala populiste për të riformatuar politikën e vendit, për të rindërtuar partinë dhe për t’u bërë kryeministri që po nxjerr Britaninë nga BE-ja.

Javën e kaluar, zoti Johnson përjashtoi 21 politikanë të moderuar nga partia konservatore, përfshirë nipin e Uinston Çërçillit, për kundërshtimin e politikës së qeverisë për Brexitin. Kjo u prit me një kritikë të ashpër nga ish udhëheqësi konservator dhe ish-kryeministri John Major, i cili e quajti këshilltarin kryesor të zotit Johnson, Dominic Cummings, një "anarkist politik" dhe paralajmëroi të shtunën se politika e kryeministrit për spastrimin e partisë rrezikon t’i shndërrojë konservatorët nga një "parti kombëtare me bazë të gjerë" në një sekt.

47-vjeçari Cummings, një figurë e diskutueshme që është krahasuar me ish këshilltarin e Presidentit Trump, Steve Bannon, ishte strategu kryesor për fushatën Brexit gjatë referendumit të vitit 2016. Zoti Cummings nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të transformuar hartën e politikës britanike, duke filluar me një reformim populist të partisë konservatore.

Të premten, ai u tha këshilltarëve të qeverisë se nuk kishin parë gjë akoma, se nëse mendonin se java që kaloi kishte qenë kaotike, duhet ta kuptonin se ky ishte "vetëm fillimi".

Javën që kaloi, ligjvënësit morën kontrollin e axhendës në Dhomën e Komuneve. Por po ashtu, zoti Johnson tregoi se ai ishte i gatshëm për të kundërshtuar parlamentin dhe për të thyer ligjin, nëse ligjvënësit do të miratonin legjislacionin që vonon procesin Brexit, siç edhe vepruan. Legjislacioni mori miratimin zyrtar të Mbretëreshës Elizabeth të hënën.

Ligjvënësit e ndërmorën këtë hap në vazhdën e vendimit të zotit Johnson për të pezulluar legjislaturën për një periudhë të zgjatur në mënyrë jo konvencionale, një lëvizje e rrezikshme që kritikët e tij thonë se kishte për qëllim të mos lejonin deputetët të bllokonin një Brexit "pa marrëveshje" me Brukselin.

Por a do të ketë sukses kopjimi i veprimeve të presidentit amerikan? Komentatori politik Matthew d'Ancona vëren se zoti Johnson po rritet në sondazhet e opinionit. Konservatorët po ua kalojnë rivalëve të tyre më të afërt, laburistëve me 14 përqind, gjë që dëshmon se elektorati jashtë flluskës së Uestminster-it mund të jetë duke formuar një pikëpamje shumë të ndryshme nga kritikët e kryeministrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG