Deputeti i parlamentit gjerman, Peter Beyer që është nga radhët e partisë së kancelares Angela Merkel, tha të martën se vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për integrimet evropiane, ndërsa ritheksoi qëndrimin gjerman kundër ideve për ndryshim kufijsh në Ballkan.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë, një ditë pasi që qëndroi në Beograd ku u takua me udhëheqësit politik të Serbisë. Në Kosovë, zoti Beyer u takua me kryeministrin në largim Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Zoti Beyer tha se është i vetëdijshëm që Kosova do të ketë sfida të shumta pas zgjedhjeve parlamentare posaçërisht në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformimin e sistemit të arsimit. Ai tha se këto dhe vazhdimi i bisedimeve janë thelbësore për integrimet evropiane.
“Së pari të presim rezultatet e zgjedhjeve, por pavarësisht këtyre qëndrimi i përgjithshëm është se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe është interes i Evropës por edhe Berlinit. Për atë arsye është shumë i rëndësishëm vazhdimi i biseidmeve me Serbinë dhe këtë porosi e shpalosa edhe gjatë qëndrimit tim në Serbi në takim me presidentin Aleksandër Vuçiç”, tha ai.
Zoti Beyer komentoi edhe emërimin e zptit Mattheë Palmer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
“Zoti Palmer e njeh rajonin dhe tani është me të vërtetë një lajm i ri që ai u emërua si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin, mirëpo nuk e di se çfarë të mire do të sjell ky emërim. Por pavarësisht prej kësaj, jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet ta emëroj një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në aspektin konstruktiv dhe të sinqertë për të vazhduar procesin e bisedimeve“, tha ai duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë lojtarë të rëndësishëm për Ballkanin dhe aleat i ngushtë i Gjermanisë, ndërsa shprehu besimin për një ndihmesë pozitive të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe Kosovë.
Ai ritheksoi qëndrimin gjerman se Kosova duhet të jetë ashtu siç është, “pa ndryshime territoriale dhe pa ndryshime të kufijve”.
Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që mbahen më 6 tetor. Diplomatët shpresojnë që një qeveri e re të formohet shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe të rihapin bisedimet para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Facebook Forum