Lidhje

Mark Gjonaj: Diaspora nuk mund të jetë spektatore e zhvillimeve në Shqipëri e Kosovë


Intervistë me anëtarin e Këshillit bashkiak të Nju Jorkut Mark Gjonaj
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:23 0:00

Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe personalitet aktiv i komunitetit shqiptar u bën thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri dhe Kosovë që ta përqafojnë diasporën, pasi ajo është një pasuri e madhe. Në një intervistë nga Nju Jorku me kolegun tonë Ilir Ikonomi, zoti Gjonaj thotë se diaspora nga ana e saj duhet të angazhohet, kur mes politikanëve në rajon ka grindje për arsye egoiste dhe të përpiqet të bashkojë të dyja palët në të mirë të vendit.

Zëri i Amerikës: Z. Gjonaj, si Shqipëria ashtu edhe Kosova po kalojnë disa momente të vështira. Sidomos Shqipëria përballet me një krizë të shumëfishtë politike. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë aktiv në të kaluarën kur vinte fjala për vendin amë, por tani duket se është më pak aktiv. Si e shihni rolin e tij?

Mark Gjonaj: Nuk mendoj se jemi më pak aktivë. Ajo që po ndodh në Shqipëri, trazirat politike janë padyshim shqetësuese për shumë prej shqiptarëve në të gjithë botën, pa folur pastaj për shqiptarët e Amerikës. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar, por kemi nevojë për një marrëdhënie me Shqipërinë, pra që qeveria ose partitë dhe udhëheqësit politikë ta përqafojnë më në fund diasporën si një pasuri, ashtu siç është në të vërtetë. Pasuria më e madhe kombëtare e Shqipërisë janë shqiptarët, sidomos kur kemi më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se sa brenda kufijve. Kjo është një pasuri e vërtetë, e prekshme. Por ne nuk jemi përqafuar prej tyre.

Zëri i Amerikës: Dhe si planifikoni ta luani këtë rol të ri?

Mark Gjonaj: Nuk është një rol i ri. Diaspora nuk mund ta vëzhgojë këtë që po ndodh si spektatore, sikur të ishte një ndeshje futbolli. Ne duhet të jemi të angazhuar dhe të marrim pjesë aktive në formësimin e drejtimit ku shkon vendi. Për hir të popullit dhe vendit tonë, ne gjithmonë kemi qenë një partner i gatshëm, por thjesht duhet të përqafohemi si partner i vërtetë. Ka disa hapa që qeveria mund të ndërmarrë për ta forcuar urën që ekziston aktualisht midis vendeve tona, në mënyrë që të luajmë një rol më të mirë. Ne kemi arritur aq shumë gjatë dekadave të fundit, dhe kur shikojmë krizën me të cilën përballet aktualisht Shqipëria, kjo nuk ngjan aspak mirë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare dhe as të shqiptarëve kudo në botë.

Zëri i Amerikës: Por mbase një problem është se komuniteti shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara nuk është i unifikuar sa duhet për ta luajtur këtë rol në mënyrë të efektshme. Ju si mendoni?

Mark Gjonaj: Komuniteti shqiptaro-amerikan në veçanti gjithmonë ka treguar dëshirën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar. Ne kemi qenë gjithmonë në ballë. Për shembull, pavarësia e Kosovës ose rindërtimi i Shqipërisë pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Komuniteti shqiptaro-amerikan gjithmonë ka qenë i angazhuar dhe aktiv. Ne jemi të bashkuar. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: si të angazhohemi kur mes politikanëve ka grindje politike për arsye egoiste. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm si komunitet. Ne nuk jemi këtu për të zgjedhur këtë ose atë palë. Ne jemi këtu për ta bërë diasporën dhe veçanërisht komunitetin shqiptaro-amerikane një zë oponence, kur udhëheqësit dhe partitë tona politike nuk veprojnë në interesin e popullit dhe vendit, për kauzën kombëtare. Dhe, në këtë drejtim, udhëheqësit tanë politikë nuk po veprojnë në interesin më të mirë të popullit të tyre.

Zëri i Amerikës: Me sa ju kuptova, ju thoni që komuniteti shqiptar, diaspora duhet të luajë një lloj roli ndërmjetësues në Shqipëri ose në Kosovë. Çarë ju bën të besoni se komuniteti mund të jetë politikisht i paanshëm, nëse përpiqet ta luajë një rol të tillë?

Mark Gjonaj: Sigurish, qeveria dhe udhëheqësit politikë në vendet amë janë në gjendje ta pranojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe diasporën si partnere. Ne mund të shfrytëzojmë këtë mundësi për t'i bashkuar të dyja palët. Është koha që diaspora ta luajë këtë rol, si të ishte “plaku i fshatit”, të bashkojë të dyja palët për të mirë. Nëse ata me të vërtetë e vlerësojnë komunitetin shqiptaro-amerikan, ata duhet të na lejojnë të luajmë rolin për t’i sjellë të gjitha palët në tryezë. Pa kushte, pa mandat, sepse kjo është gjëja e duhur.

Zëri i Amerikës: Kush do ta përfaqësonte komunitetin në këtë rast?

Mark Gjonaj: Në këtë drejtim, ne kemi së pari përvojën dhe lidhjet e duhura si me Uashingtonin ashtu edhe me BE-në, për t’i lejuar ata të marrin pjesë si vëzhgues. Unë do të shfrytëzoja mekanizmat që ne tashmë i kemi. Fjala është për organizatat shqiptaro-amerikane që ekzistojnë aktualisht, rreth 60 në të gjithë vendin, për të formuar një komitet që do të vepronte si rruga për të sjellë palët së bashku. Ne duhet të bëjmë zgjedhje në çdo vend ku kemi një numër të madh shqiptarësh, pra që ata të zgjedhin një ambasador në atë vend. Dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë të drejtë, transparente me një datë të caktuar. Këta njerëz do të ishin zëdhënësit, nëse mund të shprehem kështu, të këtij komuniteti. Në këtë mënyrë ne mund të formonim një kongres të udhëheqësve shqiptarë të diasporës, të zgjedhur nga diaspora, për të përfaqësuar interesin më të mirë të saj. Nga ai trup, ne duhet të jemi në gjendje të zgjedhim dy ambasadorë, nëse mund t’i quajmë kështu, një për Shqipërinë dhe një për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Pra, ju po flisni për një përpjekje serioze nga ana e diasporës, por kush do ta sponsorizonte këtë përpjekje financiarisht sepse kjo duket se është problem?

Mark Gjonaj: Investimi financiar që nevojitet është minimal në krahasim me përfitimet. Nuk do të kishte përfitim më të madh për Shqipërinë apo Kosovën sesa investimi në diasporë. Diaspora ka përvojën, njohuritë, pasurinë dhe një përkushtim të madh për njerëzit në vendin amë. Pra, ky do të ishte një investim i vogël nëse mendojmë se kjo mund të sillte një ndryshim të madh për njerëzit tanë në Ballkan, do të sillte stabilitet ekonomik, stabilitet shoqëror dhe politik dhe një pasuri të jashtëzakonshme për të ardhmen tonë. Dhe unë do të imagjinoja që, me burimet që kemi, edhe Shtetet e Bashkuara, dhe mbase BE-ja do të ishin të gatshme të investonin në diçka që do të ndihmonte në zbutjen e vështirësive, për zgjidhjen e problemeve tona, pa nevojën e bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Z. Gjonaj, ju keni qenë pjesë e dy samiteve të diasporës në Shqipëri, ndërsa anëtarë të tjerë të komunitetit nuk kanë pranuar të marrin pjesë, duke i quajtur ato një fasadë për qeverinë. A ia vlen të zhvillohen aktivitete të tilla?

Mark Gjonaj: Çdo përpjekje dhe nismë që synon për mirë duhet të shfrytëzohet si mundësi. Le të mos shohim më larg se Portugalia, Koreja e Jugut, Irlanda, apo Izraeli, ose vendet që përfituan nga pjesëmarrja e diasporës, si nga pikëpamja ekonomike, politike edhe shoqërore. Ne gjithmonë ia kemi borxh atdheut dhe popullit tonë që të angazhohemi. Ne jemi në gjendje të sjellim ndryshim. Thjesht duhet të jemi të ftuar në tryezë dhe të bëhemi një palë e vërtetë e interesuar ndërsa përpiqemi të vëmë në jetë këto nisma.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG