Lidhje

Tiranë, enigma e Memorialit kushtuar viktimave të grushtit të shtetit në Turqi


Mbajta e një veprimtarie organizuar nga ambasada turke në Tiranë, me rastin e 3 vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, në 15 korrik të vitit 2016, ku është ngritur një Memorial kushtuar viktimave të asaj ngjarjeje, ka ngritur pikëpyetje lidhur me rolin e Bashkisë së Tiranës.

Megjithëse në veprimtarinë që ka nisur me një marshim nga qendra e Tiranës, dhe ka përfunduar në një nga zonat e Parkut të Liqenit, ka marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, në faqen zyrtare të Bashkisë nuk ka asnjë njoftim, për pjesëmarrjen e tij.

Por nga ana tjetër emërtimi i një rruge apo një parku, është kompetencë e Bashkisë dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin. Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë patur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në veprimtarinë për Memorialin apo inaugurimin e ‘’Rrugës së Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkut të Demokracisë së 15 Korrikut”.

Në një njoftim në Facebook, ambasada turke në Tiranë, bëri të ditur se “me pjesëmarrjen e vëllezërve dhe motrave shqiptare, me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Duket se bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë, pasi në Shqipëri, nuk rezulton të ketë monumente dedikuar ngjarjeve të ndodhura në një shtet të huaj, siç ishte rasti i grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autoritetet turke fajësuan klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO.

Tre ditë pas këtij zhvillimi në Tiranë, kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta, me kreun e Shtetit turk.

Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj si dhe me kryeministrin Edi Rama "për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim", tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG