Lidhje

Boris Johnson fillon mandatin si Kryeministër i Britanisë


Kryeministri britanik Boris Johnson i kërkoi Bashkimit Evropian të rishqyrtojë vendimin për të mos rinegociuar marrëveshjen për Brexit-in. Ai deklaroi se do të tërhiqet nga blloku prej 28-vendesh pa një marrëveshje të re, nëse kjo do të ishte e nevojshme.

Gjatë fjalimit të tij të parë të enjten përpara Parlamentit si kryeministër, zoti Johnson tha se marrëveshja e Brexit e negociuar nga paraardhësja e tij, Theresa May, është "e papranueshme".

Kryeministri Johnson, që është njëkohësisht udhëheqës i Partisë Konservatore, nisi organizimin e ekipit të tij politik qysh të mërkurën kur edhe mori detyrën e re.

Kabineti i ri përfshin për herë të parë një sekretar të thesarit që vjen nga pakicat si dhe disa gra. Dita e parë e punës e kryeministrit Johnson u shënua me tubime si nga përkrahësit edhe kundërshtarët e tij.

Qendra e Londrës u mbush me demonstrues teksa Britania i dha lamtumirën zonjës Theresa May dhe mirëpriti Boris Johnson në postin e kryeminstrit të 55-të të vendit.

Një grup protestuesish u përpoqën ti presin rrugën shefit të ri të ekzekutivit ndërsa ai shkonte drejt pallatit Buckingham për një takim ceremonial me mbretëreshën.

Pa humbur kohë, kryeministri i ri formoi qeverinë e re që do ta ndihmojë të nxjerrë Britaninë jashtë Bashkimit Evropian më 31 tetor.

"Ndonëse kam një ekip të mrekullueshëm, personalisht marr përgjegjësinë për ndryshimet që dua të shoh. Harrojeni të kaluarën. Përgjegjësia është e jona”, tha kryeministri i ri britanik.

"Mezi pres të punoj me ekipin e kryeministrit të ri, i cili tashmë i ka vendosur përparësitë e tij kryesore. Ato përfshijnë largimin nga Bashkimi Evropian më 31 tetor dhe përfitimi nga mundësitë e mëdha ekonomike që kemi përpara”, tha Sajid Javid sekretari i ri i thesarit.

Në vend të zotit Javid si sekretar i brendshëm, kryeministri Johnson ka emëruar ish sekretarin e jashtëm për zhvillimin, konservatorin Priti Patel, i cili u detyrua të dorëhiqej nga qeveria May, pas daljes në dritë të njoftimeve për takimet e fshehta të saj me qeverinë izraelite.

Ish rivali i zotit Johnson, Jeremy Hunt u zëvendësua nga Dominic Raab si sekretar i jashtëm dhe sekretar i parë i shtetit.

“Është e qartë se mesazhi që ministria e jashtme dërgon rreth mundësive në botë dhe besimit që ne kemi tek vendi ynë, janë diçka që unë mezi pres të përfshihem”, tha sekretari i ri i jashtëm Raab.

Aleati i vjetër i kryeminstrit, ish ministri i sigurisë Ben Wallace u emërua sekretar i mbrotjes, duke zëvendësuar zonjën Penny Modaunt.

Disa prej anëtarëve të kabinetit u konfirmuan në pozitat e tyre gjatë riorganizimit të qeverisë, mes tyre sekretari për çështjen Brexit Stephen Barclay dhe ai i shëndetësisë Matt Hancock.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG