Përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, të dielën nuk iu lejua që në kalanë e Qytetit të Shasit, të shërbejnë liturgjinë e paralajmëruar kohë më parë, pasi Drejtoria e Policisë së Malit të Zi, ditë më parë solli vendimin për ndalimin e kryerjes së liturgjisë para Kishës së Shën Gjonit në Shas, siç kërkoi Kisha Ortodokse Serbe.
Në pamundësi që të ngjiten lart në Kishën e Shën Gjonit, pjesëtaret e Kishës Ortodokse Serbe e kanë kryer aktivitetin tek një fushë sporti, e cila gjendet larg portës së Qytetit të Vjetër
Lidhur me këtë aktivitet të paralajmëruar nga KOS-i, pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi dhe nga shoqëria civile, të cilët i bënë apel të gjithë qytetarëve të Shasit dhe Ulqinit që “të ruajnë qetësinë, të tregojnë maturi dhe të
mos bien pre e provokimeve tendencioze, të cilat mund të paraqiten në media dhe në opinionin e gjerë, si konflikte ndëretnike dhe ndërfetare e që mund të jetë edhe qëllimi kryesor i “manifestimeve” të tilla, të përsëritura.”
Subjektet politike shqiptare e kanë njoftuar qeverinë e Malit të Zi dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me provokimet e vazhdueshme të Kishës
Ortodokse Serbe ndaj vendbanimeve shqiptare në Malin e Zi, trashëgimisë kulturore dhe pasurisë arkeologjike në trevat ku jetojnë shqiptarët .
Qytetarët dhe subjektet politike shqiptare në vazhdimisht kanë kundërshtuar mbajtjen e liturgjisë dhe pagëzimin e Kishës së Shën Gjonit në Qytetin e Vjetër të Shasit.
Qyteti i vjetër i Shasit i përket kategorisë së qyteteve më të famshme “të vdekur” në bregdetin e Adriatikut dhe paraqet një burim të pashtershëm arkeologjik. Kjo i ka shtyrë, që për herë të parë, Qendra e Kulturës në Ulqin dhe Qendra për Konservim dhe Arkeologji në Mal të Zi të zbatojnë një projekt në mbrojtje të kësaj trashëgimie kulturore.
Facebook Forum