Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se nëndetësja ushtarake e cila u përfshi nga flakët pak ditë më parë, duke shkaktuar vdekjen e 14 marinarëve, ishte një nëndetesëse bërthamore. Por zoti Putin tha se nëndetësja nuk ishte dëmtuar rëndë.
Komentet presidenti rus i bëri gjatë një bisede me gazetarët të enjten në Kremlin. Sipas një dokumenti të shkruar nga qeveria ruse, zoti Putin ishte këshilluar me ministrin e tij të mbrojtjes përpara se të konfirmonte statusin e nëndetëses.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se nëndetësja është "mbyllur dhe i të gjithë personeli i saj është hequr". Por sipas tij ajo është në gjendje pune pasi anëtarët e ekuipazhit morën të gjitha masat për ta shpëtuar atë.
Katërmbëdhjetë oficerë të marinës ruse gjetën vdekjen të asfiksuar nga tymi, por u arrit që nëndetësja të kthehej në port, në qytetin Severomorsk.
Mbetet ende e paqartë se sa persona ndodheshin në bord, ndërsa autoritet kanë thënë se kishte disa të mbijetuar.
Autoritet ruse e njoftuan aksidentin një ditë më vonë, duke lënë disa kritikë të dyshojnë se Rusia nuk e ka treguar të plotë ngjarjen.
Zyrtarët norvegjezë të cilët masin nivelin e rrezatimit në ato ujëra thonë se nuk kanë zbuluar ndonjë shqetësim në këtë drejtim.
Facebook Forum