Lidhje

Serbët mbyllin dyqanet në veriun e Kosovës


Të hënën në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe, janë mbyllur të gjitha dyqanet e ushqimeve dhe në shenjë solidarizimi, nuk punojnë as kafenetë, barnatoret, pompat e benzinës e madje as taksitë.

Serbët mbyllin dyqanet në veriun e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:06 0:00

Mbyllja e dyqaneve është pjesë e protestës ndaj tarifave prej 100 për qind, që qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

​Autoritetet në Beograd dhe përfaqësues lokalë të serbëve në veri, thonë se tarifat dhe kontrollet e policisë së Kosovës, që ka mbyllur rrugët alternative, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.

Por, autoritetet në Prishtinë thonë se tërë kjo është një lojë e Beogradit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se “krizë humanitare nuk ka në Kosovë. Ka improvizim dhe tendenca të Serbisë për t’i paraqitur si viktimë qytetarët serbë në veri të Kosovës. Prandaj është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike të njeh realitetin dhe të kuptoj realitetin. Dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar”, tha presidenti Thaçi.

Më 21 qershor, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte paralajmëruar nëpërmjet rrjeteve sociale se zyrtarë dhe afaristë serbë në veri të Mitrovicës së bashku me Beogradin zyrtar, po përgatisin një plan për të paraqitur, siç thoshte, gjendjen e një katastrofe humanitare në atë pjesë të Kosovës. Sipas kryeministrit “boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilin qeveria e Kosovës është e informuar”, shkroi ai.

Të hënën, kryeministri Haradinaj shkroi në rrjetet sociale se “simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim! Në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit. Ky aksion, i koordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane’, shkroi mes tjerash ai.

Mediet lokale në veri publikuan ditë më parë edhe një urdhëresë në emrin e “afaristëve serbë në veri” që askush të mos blejë në dyqanet në pjesën jugore të Mitrovicës të banuar me shumicë shqiptare, e madje as në lagjen e boshnjakëve që është me popullsi të përzier në veri.

Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me tarifat duke kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh.

Qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojë edhe një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris që ishte për planifikuar për sot më 1 korrik.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Poznan të Polonisë në kuadër të takimit të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbahet nga 3 deri më 5 korrik, por nuk pritet që ai takim të ushtrojë ndonjë ndikim në ngërçin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG