Lidhje

PS: Nisim procedurat për shkarkimin e Metës


Në Shqipëri Partia socialiste njoftoi sot se ka vendosur të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit Iir Meta. Eshtë hera e parë që në Shqipëri, parlamenti do të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili pason vendimin e Kreut të Shtetit për të anulluar datën e zgjedhjeve vendore të parashikuara për më 30 Qershor.

PS: Nisim procedurat për shkarkimin e Metës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:12 0:00

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë, ministrja për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se me vendimin e tij Presidenti ka kryer “një akt brutal ndaj Republikës”. Sipas zonjës Spiropali “ne si Kryesi mendojmë se Meta ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion”. Një qëndrim i paralajmëruar një ditë më parë dhe nga vetë kryeministri Edi Rama , sipas të cilit vendimi i Kreut të Shtetit është “një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp që s'ka më turp”, ndërsa shtoi se “Ilir Meta e ka shkruar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë”

Presidenti Meta hodhi firmën mbi dekretin që shfuqizon aktin e tij të mëparshëm për datën e zgjedhjeve, pasi më parë bëri një shpjegim të gjatë të arsyeve që e çuan në këtë vendim. Ai bëri një panoramë të gjerë të situatës politike në të cilën gjendet vendi, dhe një sërë referencash mbi nene të ndryshme të Kushtetutës, duke qenë se mungon parashikimi eksplicit i një kompetence për të anulluar datën e zgjedhjeve.

Zonja Spiropali shpjegoi se procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës “do nisin menjëherë në sencën parlamentare të së enjtes. Eshtë detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, Rendin kushtetues dhe Republikën”. Procedurat për shkarkimin e Presidentit nisin me kërkesën e një të katërtës së deputetëve, ose 36 prej tyre, ndërsa vendimi duhet të merret me të paktën dy të tretat ose 93 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka. Sidoqoftë, edhe nëse parlamenti e aprovon, fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin është jashtë funksionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët e saj. “Pavarësisht kësaj, kjo nuk na heq të drejtën për të nisur procedurat”, deklaroi zonja Spiropali.

Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë së tij, zoti Rama thirri në një takim, ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian, SHBA-ve dhe OSBE-së, për t’i informuar për situatën e krijuar dhe qëndrimet që shumica ka vendosur të mbajë.

Ndërsa pasdite ishte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i cili diskutoi për dekretin e ri të Presidentit. Kryetari Klement Zguri deklaroi se sipas tij Komisioni vetëm duhet të zbatonte dekretin për anullimin e datës, ndërkohë që përfaqësuesit e shumicës kishin vënë në rend të ditës çështje që lidheshin me organizimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Zoti Zguri preferoi të largohej nga mbledhja, ndërkohë që për katër anëtarët e emëruar nga shumica, dekreti i ri nuk mund të merrej në konsideratë pasi “është një akt administrative absolutisht i pavlerë”, deklaroi nënkryetari Denar Biba, sipas të cilit “KQZ, ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të vijojë me organizimin e zhjedhjeve të 30 Qershorit. KQZ ka detyrimin, jo të drejtën, se nuk e kemi opsion, nëse duam ose jo, kemi detyrimin të vazhdojmë punën, që shqiptarët, qofshin 2 apo 2 milion, që dëshirojnë të shkojnë të votojnë, ne t’ua mundësojm këtë”.

Për zhvillimet e vrullshme të ditës së sotme, reagoi në mbrëmje dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. “Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor. Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës. Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë. Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit. Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes suaj”, u shpreh zoti Basha në një mesazh drejtuar qytetarëve.

Duke folur për dekretin e presidentit Meta, kryetari demokrat tha se “Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Përtej cdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet”. Ndërsa për zgjedhjet vendore, zoti Basha ritheksoi se “as me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër. Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Europa vazhdon me vendosmëri. Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG