Lidhje

Tiranë, protestë e qetë e opozitës


Në Shqipëri protesta e thirrur të shtunën në mbrëmje nga opozita u zhvillua paqësisht, me përjashtim të disa minutave tensioni pranë parlamentit, ku protestuesit u ndalën pas qëndrimit para godinës së qevrisë. Ndërsa manifestimet e mëparshme janë mbizotëruar nga lëndët plasëse dhe tymueset që fluturonin drejt selisë së Qeverisë, sot ajo u karakterizua më së shumti nga elementë koreografikë. Fillimisht me protestuesë që mbanin në duar, tepsi me mbishkrimin “Rama IK”, të cilat më pas u mbushën me fotokopje parashë, duke simbolizuar korrupsionin qeveritar, me projektimin në fasadën e selisë së Kryeministrisë të sloganeve kundër qeverisë, ndërsa më pas drejt qiellit, ndërsa kishte nisur të binte errësira, u lëshuan balona ndicuese, mbi të cilat gjithashtu ishte stampuar me gërma të mëdha fjala “IK” drejtuar kryeministrit Edi Rama.

Mesazhet e zoti Basha në fjalën e tij ishin po ato që kanë qenë në thelb të të gjithë qëndrimit të opozitës gjatë këtyre tre muajve që kur ajo u largua nga parlamenti. “Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe pengmarrësit të demokracisë u shpreh zoti Basha.

Sipas kryetarit demokrat, qytetarët me manifestimin e sotëm dhanë mesazhin se tani “është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie, pasi ne jemi më të fortë se kurrë. Liri a vdekje! Demokraci a vdekje! Le të jetë kjo mbrëmje preludi fatlum i zgjidhjes së kësaj krize, përmes diktatit të normave dhe parimeve të Evropës. Pa asnjë kompromis për parimet dhe normat euroatlantike. Le të jetë preludi i zgjidhjes politike për ti hapur rrugën Shqipërisë si e gjithë Evropa”.

Në fjalën e mbajtur në mbyllje të protestës, para selisë së Partisë Demokratike zoti Basha ishte më i drejtpërdrejtë kur tha se “mesazhi i sotëm është mesazhi i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aletaëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë, se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithshka për votën e lirë, se jemi popull i Europës, e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një qeverie banditësh që kanë marrë peng vendin, kanë kapur drejtësinë, dhe kanë bllokuar rrugëtimin drejt Europës. Ndaj orët dhe ditët në vijim – vijoi kryetari demokrat - qofshin ditë reflektimi të thellë për ata që mendojnë se mund të vazhdojnë të mbajnë peng popullin, qeverisjen e këtij vendi, për ata që u shkon në mendje se do mbysin demokracinë”, u shpreh ai duke paralajmëruar se “kjo nuk do ndodhë, forca jonë është bashkimi, vendosmëria, qëndresa, forca jonë është përballja dhe përballje do të ketë deri në fitoren e kësaj beteje”.

Ndalesa para selisë së parlamentit, u shoqëruar me momente tensioni, ndërsa një grup manifestuesish larguan gardhin metalik në hyrje. Më pas u ndez një zjarr i vogël, e nuk munguan dhe lëshimi i gurëve dhe sendeve të forta drejt policisë. Makina ujëhedhëse e policisë, u vu në përdorim vetëm një çast. Për të sprapsur protestuesit ndërhyri Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi, ndërsa zoti Basha, bëri rikthim drejt selisë së Partisë Demokratike.

Komuniteti ndërkombëtar i ka paraprirë sërish këtë të shtunë, me thirrje për qetësi dhe kundër akteve të dhunshme, protestës së mbrëmjes së opozitës në Tiranë. Ambasada amerikane, përmes një deklarate u shpreh se “ju bëjmë thirrje të gjithë pjesmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë”.

Në të njejtën linjë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasadat e vendeve anëtare. “Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”, vë në dukje deklarata.

Thirrje për një manifestim paqësor erdhën dhe nga drejtuesit më të lartë të OSBE-së, të cilët përsëritën qëndrimin e mbajtur lidhur me protestën e dhunshme të 11 Majit ku theksuan se “dhuna është e papranueshme dhe se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. Deklarata mbetet po aq e vlefshme sa edhe dy javë më parë - nënvizohet në qëndrimin e sotëm - Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike” - thekson OSBE në deklaratën e saj.

Përfaqësitë diplomatike të BE-së dhe SHBA-ve ndërkohë i bënë thirrje palëve për një “dialog konstruktiv me synim për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”.

Më herët gjatë ditës dhe presidenti Ilir Meta, ju drejtua opozitës duke vënë në dukje se “sa e rëndësishme është që ajo të jetë tërësisht paqësore. Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar. Është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë”, shprehet presidenti, duke shtuar se “vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG