Lidhje

 Ukrainë: Presidenti Zelenskiy cakton datën e zgjedhjeve të reja


Presidenti i ri i Ukrainës caktoi 21 korrikun si datën e zgjedhjeve të reja dhe shpërndau parlamentin për t’u bërë gati për to.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy i bëri të njohura këto vendime me anë të një dekreti, që u publikua të martën në faqen e internetit të presidentit.

Zgjedhjet do t’i japin partisë Shërbëtorët e Popullit të zotit Zelenskiy një shans për të siguruar për herë të parë vende në parlamentin që është e mbizotëruar nga përkrahësit e ish-Presidentit Petro Poroshenko.

41 vjeçari pa përvojë në politikë fitoi bindshëm ndaj zotit Poroshenko muajin e kaluar, duke vënë në qendër të fushatë varfërinë e thellë dhe korrupsionin që kishin shoqëruar administratën e ish-Presidentit Poroshenko.

Zelenskiy është një komedian dhe e vetmja përvojë politike e tij, ishte portretizimi i një presidenti në një program televiziv popullor.

Në fjalimin e tij pas inaugurimit, ai tha se objektivi i tij kryesor ishte të arrinte një armëpushim në Ukrainën lindore, ku trupat qeveritare luftojnë prej pesë vjetësh me separatistët e mbështetur nga Rusia, një konflikt që ka shkaktuar vdekjen e rreth 13 mijë vetëve.

Zoti Zelenskiy ka premtuar se do të vazhdojë në rrugën pro-perëndimore të Ukrainës, por përtej kësaj, programi i tij politik nuk ka marrë ende formë.

Ai deklaroi gjithashtu se administrata e tij e re është e “gatshme për dialog” me Rusinë, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin nuk ka në plan të takohet me zotin Zelenskiy dhe nuk do ta uronte për zgjedhjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG