Lidhje

Kryemadhi: Situata në Shqipëri, përgjegjësi e të gjitha palëve politike


Intervistë me Kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi
please wait

No media source currently available

0:00 0:12:10 0:00

Intervistë me Kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, opozita mori masën ekstreme për të djegur mandatet, për shkak të siç shprehet ajo, keq-qeverisjes së vendit si dhe vjedhjes së votave. Në dhjetë vitet e fundit, me përjashtim të këtyre dy viteve, partia juaj, ka qënë në pushtet për 8 vite, me Partinë Demokratike 4 vjet dhe më pas me Partinë Socialiste për 4 të tjera. Në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ju thoni se u vodh vota, PD-ja dhe LSI-ja kanë qënë bashkëorganizatore të tyre, pra përse duhet t'u besojnë ju qytetarët shqiptarë se përparësia juaj janë interesat e tyre dhe jo interesi për pushtet?

Monika Kryemadhi: Në fakt kjo është një pyetje që e kemi tejkaluar në Shqipëri. Në institucionet ndërkombëtare dhe të tjera egziston ideja se LSI-ja ka qenë 4 vjet në qeverisje me Partinë Demokratike dhe 4 vjet me Partinë Socialiste. LSI-ja ka qenë gjithmonë një parti politike që ka krijuar stabilitet dhe u ka krijuar shqiptarëve garancinë e funksionimit të institucioneve. Duke patur parasysh 4 vjeçarin e PD-së, do t’ju kujtoj liberalizimin e vizave, në 2010 fituam të drejtën të lëvizin në vendet e BE-së si qytetarë të lirë dhe i dhamë fund një herë e përgjithmonë jo vetëm radhëve të gjata dhe sfilitëse të shqiptarëve nëpër dyert e ambasadave, por dhe trafikut të vizave, viktima të së cilit ishin shqiptarët. Më pas erdhëm në procese të tjera që kishin të bënim me integrimin evropian. Në 2013-n ishte koalicioni natyral i Partisë Socialiste me LSI-në, ku LSI-ja, një parti e qendrës së majtë erdhi në koalicion me një parti të majtë. Por vijmë në vitin 2017. Prej dhjetorit të 2016 zoti Rama i ka kërkuar LSI-së koalicion dhe ne nuk e kemi pranuar sepse disa herë prej LSI-së është denoncuar kanabizimi i vendit dhe përdorimi i grupeve kriminale. Zgjedhjet e 2017-s, kanë qenë kulmi. Nuk themi që janë vjedhur, themi që janë përdorur paratë e krimit të organizuar për të blerë votat, për të intimiduar dhe për të shkatërruar të gjithë procesin zgjedhor. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, është që falë Zërit të Amerikës, ne sot kemi një dosje 339, një nga më të rrezikshmet që ka dy vjet e gjysmë që nuk po hetohet dhe që s’ka asnjë person për ta hetuar.

Zëri i Amerikës: Por kjo nuk mund ta rrëzojë të gjithë procesin e 2017-s dhe mandatin e mazhorancës apo jo?

Monika Kryemadhi: Vijmë tek djegia e mandateve, që është një proces shumë ekstrem, që detyroi opozitën, duke e vendosur në cep. Ju në Amerikë i thoni bejzboll kushtetues. Çfarë do të thotë kjo? Njerëz populist si Edi Rama vijnë në pushtet nëpërmjet votës së lirë, kapin mazhorancën në parlament, më pas kërkojnë të kapin institucione të tjera, për të ardhur për të kapur sistemin e drejtësisë, i cili nuk mund të merret me votë, sepse sistemi i drejtësisë është diçka jashtë politikës, duhet të jetë i pavarur dhe vjen e ashtuqujtuara reformë. Shqiptarët dhe LSI-ja kanë patur një rol të jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi që u votua për herë të parë me 140 vota. Në emrin e të ashtuquajturës reformë, sot Edi Rama ka kapur dhe po tenton të kapë në maksimum reformën në drejtësi. Çfarë do të thotë reformë në drejtësi? Mungesë e Gjykatës Kushtetuese për dy vjet. I ka hequr të drejtën opozitës për t’u ankimuar. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese i ka hequr të drejtën opozitës për të ngritur zërin e saj, kemi ligjin për teatrin, për pronat, për pasuritë që Edi Rama kërkon t’ua grabisë shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të thotë nuk janë vjedhur votat por janë përdorur paratë e krimit në zgjedhje?

Vjedhja vjen kur unë marr votën tënde dhe e kaloj në emrin tim, ndërsa më e rrezikshmja dhe më e tmerrshme është kur unë kërcënoj me paratë që vijnë përmes krimit të organizuar...

Zëri i Amerikës: Pse nuk e nxorrët këtë gjë në 2017?

Monika Kryemadhi: Sepse ne nuk e dinim, dhe këtë radhë falë zbulimit të Zërit të Amerikës ne e kemi këtë informacion. Këto janë përgjime që i ka bërë prokuroria e shtetit, duke pasur parasysh që grupi Avdylaj mbahej gjithë kohës nën përgjim për shkak të trafikut.

Zëri i Amerikës: Por ende nuk kemi një vlerësim përfundimatar mbi këtë çështje apo jo? Ajo është ende nën hetim...

Monika Kryemadhi: Para disa ditësh zonja Marku ka dhënë një intervistë në një televizion kombëtar kur tha që prokurorët duhet të heqin dorë nga vazhdimi i kësaj dosje, pra prokurorët të largohen nga hetimi i dosjes 339 dhe ajo ka mbetur pezull. Po kështu edhe dosja e unazës së re, një nga rastet më skandaloze se si mund të faksifikohet firma e sekretarit të Shtetit të Delauerit për të grabitur 20 milionë euro për një rrugë e cila egziston. Unë nuk kam parë në asnjë vend të botës që një kilometër rrugë të kushtojë 20 milionë euro dhe për një rrugë të bërë, nuk po flasim për rrugë apo tunele në terrene të vështira.

Zëri i Amerikës: Problemet me të cilat Shqipëria ndeshet sot nuk u krijuan sot, të gjitha palët politike kanë dorë tek ato....

Monika Kryemadhi: Të gjitha palët politike janë shkaktare të kësaj situate, duke përfshirë dhe veten time, pavarësisht se nuk kam patur asgjë në dorë.

Zëri i Amerikës: Pikërisht, si i përgjigjeni kritikave, të kritikëve tuaj mbi përgjegjësinë që keni ju?

Monika Kryemadhi: Për hir të interesave politike e partiake, të gjithë ne politikanët kemi mbyllur sytë disa herë edhe gojën për shkak të disa benefiteve politike.

Unë mendoj që sot në rradhë të parë, të gjitha partitë politike duhet të heqin dorë nga pushteti i tyre. Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar, për një pakt kombëtar që t’u garantojë shqiptarëve hapjen e negociatave, sepse ky është një nga problemet më kryesore që kemi sot. Ne flasim sot për korrupsion, por nuk flasim për një rrezikshmëri shumë të madhe që po i vjen Shqipërisë. Ajo që është ngelja e Shqipërisë jashtë gjithë projektit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nëse Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me Maqedoninë, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nëse Shqipëria do të ngelet në grupin e fundit me Bosnje-Hercegovinën dhe me Kosovën, mos harrojmë do të thotë që t’i varësh mëlçitë në qafë ujkut. Që do të thotë që Shqipërinë ta lësh nën influencën ruse. Dhe të mos harrojmë që Shqipëria është një nga shtetet në Ballkan e cila kurrë nuk e ka pranuar influencën ruse. Pse? Dy herë ka dështuar Rusia të hyjë në Shqipëri. Në vitet ’70 dhe tani. Pse? Sepse vetë populli shqiptar, qoftë Kosova, qoftë Shqipëria janë popujt më pro-amerikanë, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë dhe ne nuk duhet ta lëmë në asnjë mënyrë që për shkak të konflikteve tona politike, për ambicieve tona politike…

Zëri i Amerikës: Epo sa e ndihmon situata sot, procesin e integrimit, sa e ndihmojnë bombat me molotov, sa e ndihmojnë kapsollat e hedhura ndaj institucioneve nga ana e opozitës?

Monika Kryemadhi: Nga kjo studio e Zërit të Amerikës, sigurisht që dënoj çdo lloj dhune dhe çdo lloj agresioni, të kujtdo individi qoftë ndaj policisë, por edhe të policisë ndaj protestuesve. Qëllimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk është të pushtojë godinat, nuk janë problem godinat, nuk janë problem policët e Shqipërisë, nuk janë problem as punonjësit e administratës. Sot është problem fenomeni i cili ka kapur shtetin. Qëllimi i LSI-së është të pushtojë zemrat e shqiptarëve, të rikthejë shqiptarët në Shqipëri dhe ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Një nga problemet kryesore që kemi ne sot, është që ne duhet të mbyllim njëherë e përgjithmonë tranzicionin. Jemi i vetmi vend që vazhdojmë tranzicionin. Kemi filluar procesin e integrimit evropian përpara Kroacisë. Kroacia sot është antare e Bashkimit Evropian me të drejta të plota ndërsa ne po zvarritemi e po zvarritemi, duke shkuar në një rrugë pa fund dhe pa drejtimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Si ka mundësi zonja Kryemadhi që opozita nuk po mbështetet nga ndërkombëtarët në këtë qasje që ka?

Monika Kryemadhi: Nuk mendoj se është kjo. Sigurisht që djegia e mandateve ka qënë një veprim ekstrem. Jo. Protesta duhet të vazhdojnë dhe jo vetëm duhet të vazhdojnë, por dhe do të vazhdojnë. Sigurisht që kjo është pastaj me këndvështrime të ndryshme. Mendoj se aktet e dhunës nuk është se e favorizojnë opozitën. Aktet e dhunës i japin rolin e viktimës Edi Ramës. Aktet e dhunës vetëm sa shqetësojnë po themi... krijojnë imazhin e një dhune po themi të paprecedentë sepse këtu në këtë rast viktima nuk është Edi Rama. Në këtë rast viktima janë shqiptarët të cilët janë më të varfër, të cilët janë më të plakur. Pse? Sepse fëmijët e tyre po ikin dhe nuk po kthehen. Duhet të keni parë fotografinë e tmerrshme në dyert e ambasadës gjermane sesi me qindra të rinj rrinë në rradhë për të marrë vizë pune për të ikur dhe për të mos u kthyer më. Dhe kjo është një nga problemet më të mëdha që ka sot Shqipëria, largimi i të rinjve, i brezit më aktiv. Por gjëja tjetër që duhet të them është, nëse opozita nuk do të dilte në rrugë, nëse opozita nuk do të digjte mandatet, populli nuk do ta besonte politikën. Pse nuk do ta besonte? Sepse në 30 vjet tranzicion, ne i kemi zhgënjyer shqiptarët. Dhe për këtë ne sot duhet ta paguajmë, duhet ta paguajmë të gjithë duke filluar nga unë e para e duke përfunduar deri tek politikani më i thjeshtë. Pse e them këtë? E them sepse duhet të marrin përgjegjësi sepse kemi shumë kusure për të larë përpara shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, e përmendëm edhe gjatë këtij emisioni. Në Kosovë dhe në vendin tuaj, ambasada amerikane po përdor mosdhënien e vizave si një masë ndërshkimore për zyrtarë të korruptuar. Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se ka rreth 170 politikanë shqiptarë të cilëve iu janë rrefuzuar vizat. Është prekur Lëvizja Socialiste për Integrim nga kjo gjë?

Monika Kryemadhi: Nuk di të kem ndonjë informacion. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ambasadën amerikane për çdo politikan të korruptuar apo për çdo pjestarë të LSI-së që është pjesë e kësaj liste, për ta larguar dhe mendoj që është një nga gjërat më të mira. Ne prandaj kërkuam edhe vetingun në politikë, ku ne si LSI kemi ngritur komisionin e vetingut brenda partisë. Mendoj që politika shqiptare duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët e çdo kandidati, sepse unë mund të mos kem përgjegjësi, por jam peng i disa interesave të tjera që janë backgroundi im. Pra po themi për familjarë të lidhur, apo biznese të lidhura me krimin e organizuar të cilët mbajnë peng qofshin këta deputetë apo drejtorë.

Zëri i Amerikës: Në kuadër të kësaj pyetje, sipas burimeve tona, nënkryetarit të partisë tuaj, zotit Petrit Vasili i është refuzuar viza. Mund ta konfirmoni ju këtë gjë?

Monika Kryemadhi: Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza zotit Vasili. Po t’i ishte refuzuar viza zotit Vasili... ai ka qenë vjet në Amerikë, por besoj që, në qoftë se ka njeri më pa probleme është zoti Vasili. Megjithatë unë nuk e vë dorën në zjarr as për fëmijët e mi, as për bashkëshortin tim, por ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit me ambasadën amerikane dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim ne do të jemi të gatshëm. Por mos harrojmë vetëm një gjë – zoti Vasili ka qënë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotin Lu përsa i përket reformës në drejtësi dhe ka qënë një nga njerëzit i cili ka nxitur dhe përfundimisht ka realizuar përfundimin e komisionit ad-hoc të reformës në drejtësi në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi faleminderit për këtë intervistë!

Monika Kryemadhi: Faleminderit edhe ju!

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG