Lidhje

Mblidhen fonde për mbrojtjen ligjore të Julian Assange


Mbështetësit e Julian Assange-it kanë mbledhur një ekip të fortë ligjor për të penguar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të themeluesit të faqes së internetit, WikiLeaks, pas arrestimit të tij në Londër javën e kaluar.

Mes tyre janë edhe disa avokatë, të cilët kanë mposhtur kohët e fundit përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ekstraduar hakerë të tjerë nga Britania. WikiLeaks, faqja e internetit që ka publikuar dokumente sekrete, duke e përqendruar më shumë vëmendjen tek Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, po mbledh fonde për të mbrojtur themeluesin e saj Assange, i cili kërkohet në Shtetet e Bashkuara për sulme kibernetike.

Kërkesa për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara erdhi javën e kaluar pasi australianit 47-vjeçar iu hoq mbrojtja diplomatike nga qeveria ekuadoriane dhe policia britanike u ftua në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku ai po strehohej në shtatë vitet e fundit, për ta arrestuar atë.

Assange, i cili shihet nga mbështetësit e tij si një hero për nxjerrjen e sekreteve, por nga kritikët e tij si një vegël ose agjent i qeverisë ruse, në vitin 2012 u strehua në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur procedurat gjyqësore në Britani për ekstradimin e tij në Suedi, ku ai kërkohet nën akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.

Mbrojtja e tij ligjore ndaj kërkesës për ekstradim në Sueid përfundoi në Gjykatën e Lartë të Britanisë dhe vlerësohet të ketë kushtuar rreth 20 milionë dollarë.

Analistët ligjorë thonë se ata presin që përpjekja e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, ndaj të cilit janë ngritur akuza në Amerikë se ka ndihmuar në mënyrë të paligjshme ish-analistin amerikan të zbulimit, Chelsea Manning për të vjedhur dokumente sekrete, mund të zgjasë deri në tre vjet për shkak të procedurave ligjore.

Ekipi mbrojtës i Julian Assange-it përfshin avokaten e njohur britanike për të drejtat e njeriut, Gareth Pierce, e cila ka mbrojtur edhe të akuzuarit për shpërthimet e IRA-s në vitin 1974 në qytetet britanike të Birminghamit dhe Guildfordit. Në mesin e avokatëve të tjerët mendohet se janë edhe Edward Fitzgerald dhe Ben Cooper, të cilët penguan ekstradimin nga Britania të hakerëve Gary McKinnon dhe Lauri Love. Ekstradimi i hakerit McKinnon u ndërpre nga ministrja e atëhershme e brendshme Theresa May, tani kryeministre, me arsyetimin se ai vuante nga sindromi asperger. Gjykata e Lartë britanike refuzoi ekstradimin e hakerit tjetër Lauri Love për arsye shëndetësore dhe mendore.

Një çështje ligjore që mund të jetë përcaktuese për kërkesën amerikane për estradim do të jetë vendndodhja e Julian Assange-it në kohën kur vjedhja e dokumenteve sekret nga amerikani Maning po ndodhte. Islanda, është vendi në të cilin thuhet se Assange ndodhej në këtë periudhë, dhe avokatët e tij ka të ngjarë të kërkojnë që ai të përballet me drejtësinë e këtij vendi.

Seancat për ekstradim nuk do të shqyrtojnë provat kundër tij, por do të vlerësojnë nëse krimi për të cilin ai akuzohet është një vepër penale në Britani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG