Kryeministri i Maltës njoftoi sot se katër vende të Bashkimit Evropian kanë shprehur vullnetin të marrin 64 refugjatët që u shpëtuan nga një anije gjermane pranë brigjeve të Libisë dhjetë ditë më parë.
Kryeministri Joseph Muscat postoi në Twitter një koment ku shkruan: "Të 64 refugjatët në anijen gjermane do të zbriten nga anija dhe do të shpërndahen në Gjermani, Francë, Portugali dhe Luksenburg, falë koordinimit efektiv mes Komisionit Evropian dhe Maltës. Asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë në Maltë, pasi kjo barrë nuk mund të përballohet nga një palë e vetme”.
Zyrtarët e organizatës humanitare gjermane Syri i Detit iu përgjigjën thirrjes së alarmit përmes linjës telefonike që përdorin refugjatët nëse ndodhen në rrezik në ujërat e Mesdheut. Organizata tha se refugjatët e shpëtuar po udhëtonin me një varkë të vogël të mbingarkuar.
Ndër grupin e shpëtuar kishte dhjetë gra, pesë fëmijë dhe një foshnje të porsa lindur.
Facebook Forum