Lidhje

Kosovë: Propozim për ligj për dënimin e atyre që mohojnë krimet e luftës


Qeveria e Kosovës hodhi të enjten nismën për hartimin e një ligji në bazë të të cilit do të dënohen të gjithë ata që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Nisma u paraqit në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, pas deklaratave të fundit të zyrtarëve serb të përfshirë në institucionet e Kosovës që mohuan krimet e luftës.

Brenda dy javësh kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviç dhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”. Të dy ish zyrtarët e qeverisë së Kosovës mohuan krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 ndërsa akuzuan shqiptarët si terroristë dhe shpikje të masakrave për të nxitur bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe.

Beogradi i cilësoi shkarkimet si shkelje të lirisë së fjalës dhe trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb dhe ritheksoi mohimin e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha të enjten se deklarimet e tilla duhet të dënohen me ligj, ashtu siç ndodhë edhe në vendet perëndimore.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse cdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Por derisa institucionet e Kosovës e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Njëzet vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta.

Udhëheqësit e dyja vendeve pritet të takohen më 29 prill në Berlin, me ftesë të Gjermanisë dhe Francës, që do të jetë edhe takimi i parë i nivelit të lartë që pas pezullimit të bisedimeve në vjeshtën e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG