Në nëntokën e qytetit të Los Anxhelosit punëtorët kanë zbuluar nën tokë fosile të shumta të epokës së akullnajave. Zbulimet u bënë gjatë punimeve për të zgjeruar sistemin e tuneleve të transportit hekurudhor.
Ky koleksion shumë i madh fosilesh të epokës së akullnajave u gjet nën rrugët e Los Anxhelosit.
Ato u zbuluan nën bulevardin Wilshire, ku punëtorët gërmojnë për të zgjeruar hekurudhën e qytetit.
Fosilet u shpëtuan pasi Kalifornia ka ligje të rrepta që kërkojnë praninë e paleontologëve në të gjitha gërmimet e thella.
“Jemi shumë me fat që në Kaliforni ka kufizime të rrepta dhe që kërkohet të ketë një paleontolog gjatë gërmimeve. Pra, çdo fosil apo artifakt pikaset menjëherë dhe mund të shpëtohet. Këtë legjislacion nuk e kanë të gjitha shtetet dhe fosilet po humben vazhdimisht”, thotë Ashley Leger, drejtore e ekipit të paleontologëve.
Ndër gjetjet më interesante është kafka e një mamuthi, të cilit iu vu emri Hayden.
Ka gjithashtu vertebra dhe kocka të maceve me dhëmbë të gjatë të dalë, si dhe të ujqërve të mëdhenj.
Ndalimi i punës për t’u marrë me fosilet është një proces që kushton, por zyrtarët e qytetit thonë se në bashkëpunim me paleontologët dhe kompaninë e gërmimit kanë gjetur mënyrën për të nxjerrë fosilet dhe për ta vazhduar ndërkohë punën.
“Mendoj se këtu në shtetin Kaliforni kemi disa prej ligjeve më të rrepta mjedisore në SHBA dhe ndoshta edhe në botë. Pra është detyra jonë të bashkëpunojmë ngushtë me paleontologët dhe firmën e punimeve për të nxjerrë të gjitha këto fosile në sasira të jashtëzakonshme, por edhe të realizojmë projektin e punimeve”, thotë Dave Sotero, i drejtorisë së transporteve në bashkinë e Los Anxhelosit.
Fosilet ofrojnë një historik të këtij rajoni që shtrihet ndoshta deri në 50 mijë vite më parë.
Paleontologia Emily Lindsey thotë se fosilet madje mund të na ofrojnë përgjigje për shumë nga problemet me të cilat përballemi sot.
“Ndryshimet klimatike, p.sh., janë një çështje me interes të lartë për njerëzimin sot dhe ishte një proces që u përjetua nga këto krijesa që u zhdukën. Po kështu, edhe aktiviteti njerëzor mund të ndikojë tek ekosistemet. Periudha kur njerëzit filluan të mbërrijnë në kontinentin amerikan është edhe koha kur fillojmë të shohim zhdukjen e këtyre kafshëve të mëdha”, thotë paleontologia Emily Lindsey.
Fosilet e gjetura rishtazi do të vendosen në Muzeumin e Shkencave Natyrore të Bashkisë së Los Anxhelosit. Sistemi i ri i nëndheshëm hekurudhor pritet të përfundohet në vitin 2027, duke ofruar kështu kohë të mjaftueshme për të gjetur fosile të tjera.
Facebook Forum