Autoritetet e shëndetit publik përballen me përhapjen e fruthit në komunitetet me norma të ulëta vaksinimi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton nga qyteti Los Angeles në Kaliforni se menjanimi i vaksinimit në Shtetet e Bashkuara është nxitur kryesisht nga një lëvizje në rritje e njerëzve që i shohin vaksinat si të rrezikshme. Siç na njeh materiali në vazhdim, kjo betejë po zhvillohet si në internet ashtu edhe në legjislaturat e shteteve amerikane.
Ndërsa fruthi ekziston në pjesë të tjera të botës, kryesisht për shkak të varfërisë, në Shtetet e Bashkuara është e kundërta, shumë njerëz hezitojnë të vaksionojnë fëmijët sepse druhen se vaksinat janë të rrëzikshme. Dr. Arthur Reingold është ekspert në Universitetin e Kalifornisë në Berkley.
“Kemi të bëjmë me shtim të zonave ku ka dyshime për vaksinat, që nuk vaksionohen. Pra kur dikush udhëton nga një vend në tjetrin, kemi të bëjmë me rrezikun e një përhapjeje më të madhe të fruthit.”
Aktualisht fruthi është përhapur në 15 shtete amerikane, përfshi Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Kalifornia, Misisipi dhe Virxhinia Perëndimore nuk lejojnë mosvaksinimin, përveçse kur ka aryse mjekësore. 47 shtete lejojnë përjashtime. Dr. Peter Hotez punon në Kolegjin Mekësor Baylor.
“Prej 47 shteteve, 18 lejojnë përjashtime jo-mjekësore për arsye personale ose besime filozofike, dhe këtu është edhe fushëbeteja.”
Shumica e njerëzve shërohen nga fruthi, por në Shtetet e Bashkuara 1 në 1 mijë të prekur humbet jetën. Një lëvizje kundër vaksinimit mori vrull pas një studimi të vitit 1998, të tërhequr më pas, që e lidhte autizmin me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubeolës duke armatosur kështu kritikët e vaksinave. Ja c’thotë Robert F. Kennedy Jr. i grupit kundër vaksinimit Mbrojtja e Shëndetit të Fëmijëve.
“Askush nuk mund të thotë shkencërisht nëse është vaksina MMR apo fruthi, shytat ose rubeola që shkakton më shumë dëm.”
Por agjencitë publike të shëndetit dhe organizatat kryesore mjekësore thonë se pas disa dekadash përdorimi, vaksina MMR është provuar të jetë e sigurtë dhe shumë efektive.
Lidhja me autizmin vazhdimisht është hedhur poshtë, thotë studiuesi i vaksinë Dr. Peter Hotez, vajza e të cilit ka autizëm. Ai thotë se keqinformimi është përhapur në median sociale me mesazhe të shënjestërura në bazë të rajonit.
“Në Teksas, keqinformuesit shfrytëzojnë mbështetjen që ka ai vend për djathtën, ‘Tea Party’ dhe përdorin gjuhën e tyre. Ndërsa në Paqësor, në shtetin Uashington, apo Oregon, ata përdorin gjuhën e së majtës radikale.”
Beteja vazhdon nga një shtet në tjetrin.
“Prindërit e dinë më mirë se çfarë është e mirë për fëmijët e tyre se sa agjencitë e korruptuara rregullatore dhe kompanitë e mëdha farmaceutike”, thotë kritiku i vaksinimit Robert F. Kennedy Jr.
Ekspertët thonë se vaksina është me rëndësi thelbësore për shëndetin publik sepse fruthi është sëmundje që përhapet shumë.
“Edhe nëse nuk je në të njëjtën kohë në një dhomë me individin e infektuar, virusi mbijeton në ajër për disa orë”, thotë Dr. Arthur Reingold.
Në këtë mënyrë përhapet fruthi dhe në disa raste shkaktohen shpërthime vdekjeprurëse, sikurse shumë sëmundje të tjera në botë.
Facebook Forum