Në Tiranë u përkujtua sot 10 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në Nato. Autoritetet shqiptare riktheksuan angazhimin e vendit për t’ju përgjigjur sfidave të aleancës, ndërsa një theks i veçantë i kushtuan dhe rreziqeve nga ndikimi rus në rajonin e Ballkanit
3500 trupa të njësive të ndryshme të forcave të armatosura shqiptare ishin rreshtuar sot në bulevardin kryesor të Tiranës në një ceremony të veçantë me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Nato, ku ishin ftuar dhe përfaqësues të vendeve anëtare. 7 avionë të Aleancës kryen një demonstrim duke flutuar mbi qiellin e kryeqytetit gjatë ceremonisë.
Autoritetet shqiptare, ndërsa vlerësuan përfshirjen e Shqipërisë në gjirin e Natos si një ngjarje historike, vunë theksin te sfidat me të cilat përballet Aleanca, që nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, emigracioni i paligjshëm apo sulmet kibernetike, por dhe te angazhimi i vendit për t’ju përgjigjur detyrimeve të Natos.
“Shqipëria është e angazhuar që NATO-ja të forcohet më tej si në aspektin politik strategjik, ashtu edhe në atë atë ushtarak. Ndërkohë që jemi të gatshëm të ndajmë me Aleancën çdo përgjegjësi që do të na kërkohet edhe në të ardhmen. Të mos harrojmë se kontributi më madhor dhe i pazëvendësueshëm që Shqipëria mund dhe duhet të japë, është pikërisht si faktor i qëndrueshëm stabilizimi, bashkëpunimi dhe integrimi në rajonin tonë, përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme”, deklaroi presidenti Ilir Meta.
Për kryeministrin Edi Rama, integrimi i Kosovës në Nato, do të ishte një vlerë e shtuar: “Në mënyrë që paqja ende e brishtë në këtë rajon të mos sfidohet kurrë në të ardhmen dhe në mënyrë që Ballkani të mos jetë kurrë më porta përmes të cilës influenca të vendeve të treta arrijnë të depërtojnë deri në zemër të Europës, është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar e Aleancës Euroatlantike”
Ndikimi i aktorëve të tretë, ose i Rusisë në Ballkan zuri një vend të veçantë dhe në fjalën e ministres së Mbrotjes Olta Xhacka në konferencën e posaçme që hapi serinë e aktiviteteve të sotme. SIpas saj Nato duhet të ketë një strategji të qartë për rajonin në mënyrë që të frenojë përpjekjen e Rusisë: “Eshtë një përpjekje e mirëmenduar, e mirëplanifikuar, e mirëmenaxhuar dhe e mirëfinancuar për të destabilizuar Ballkanin duke i hapur rrugë kështu, në njërën anë penetrimit të influencës në rajon por edhe dobësimit të sigurisë së BE-së në anën tjetër. Eshtë një përpjekje që ka marrë formën e një sulmi frontal dhe hibrid në arsenalin e instrumenteve që po përdoren; instrumente që shkojnë që nga incentivat ekonomike, përdorimi i mediave të komunikimit përmes famëkeqeve “fake neës, që synojnë të dobësojnë besimin e qytetarëve tek modeli demokratik, apo nxitja e tensioneve etnike, fetare, sociale apo politike, e deri tek, në të paktën një rast, tentativa për të rrëzuar një qeveri legjitime të një vendi kandidat për anëtarësim në NATO përmes një grushti shteti”.
Sipas ministres Xhaçka, kjo situatë është favorizuar dhe nga fakti se qytetarët e Rajonit “besojnë se jetojnë në një xhep të paintegruar e të izoluar ku perspektiva europiane ka filluar të duket si një ëndërr e bukur, por shumë e largët”.
Facebook Forum